Shuhet Mirush Kabashi/ Politika shqiptare: Lamtumirë artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin

05/12/2023 09:10

Presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama kanë reaguar pas vdekjes së aktorit të mirënjohur, Mirush Kabashi.

“Lamtumirë Artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin dhe ngriti peshë sallat kudo performoi! Lamtumirë “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi”, shkruan Begaj.

“LAMTUMIRË MIRUSH”, shkruan Rama.

Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shprehet se shqiptarët do ta kujtojnë për veprën dhe trashëgiminë e tij.

“Artisti i Merituar Mirush Kabashi u nda sot nga jeta. Por shqiptarët do ta kujtojnë për veprën dhe trashëgiminë e tij. Mirushi ishte një artist i madh. Me krijimtarinë e tij u dha jete veprave të mëdha artistike, nga vendi dhe arti botëror. Metalentin e tij, me mbi njëqind personazhet që krijoi në skenë dhe në ekran, Mirush Kabashi na bëri të mendojmë, të reflektojmë, shpesh edhe të qeshim, për problemet e mëdha të shoqërisë. U prehsh në paqe, Mjeshtri ynë i madh dhe i paharruar!”, shkruan Nikolla.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit:

“Aktor i madh i skenës, interpretues i rrallë i poezisë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpreh ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit Mirush Kabashi. Në një postim në rrjete sociale Veliaj shkruan: “I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh të skenës, interpretuesit të rrallë të poezisë, të artistit Mirush Kabashi. LAMTUMIRË 💔 i madhi Mirush!”, shkruan Veliaj.

Ish-kryeministri, Sali Berisha e konsideron gjeni të skenës, Mirush Kabashin, ndërsa shton se ai ishte interpretuesi më i fuqishëm i poezisë.

“Dielli perëndoi përgjithmonë për Mirush Kabashin, gjeniun e skenës. Të dashur miq, Mirush Kabashi, Mbreti i skenës  dhe filmit mbylli sytë përgjithmonë. Arti, skena por dhe kombi sot janë në zi. Mirush Kabashi hyri në artin shqiptar si një fenomen i cili me aftësitë, talentin e rrallë në interpretimet në filma dhe teatër të mbi 100  personazheve të veprave dhe kryeveprave të autorëve shqiptarë e botërorë do bëhej shpejt artisti më i dashur për publikun shqiptar, por dhe shumë i vlerësuar nga ai ndërkombëtar. I paarritshëm në të gjitha rolet, por kulmor dhe i pavdekshëm me “Apologjinë e Sokratit” ai ndahet nga ne dhe niset në përjetësi si Sokrati i ditëve tona. Mirush Kabashi ishte gjithashtu interpretuesi më i fuqishëm i poezisë. Ai ishte një mbështetës i palëkundur i opozitës dhe demokracisë në Shqipëri. Duke shprehur mirënjohjen më të pakufishme për kontributin e tij të rrallë dhe ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, të afërmve, miqve dhe admiruesve të Mjeshtrit të Madh, i lutem Zotit q” shpirti e tij të gjej paqen e merituar. Amin”, shkruan Berisha.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se Mirush Kabashi ishte një prej ikonave më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar.

“Pikëllim të madh për largimin në amshim të “Nderit të Kombit”, Mirush Kabashi, një prej ikonave më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar. Interpretimet emocionuese të këtij artisti të jashtëzakonshëm, personazhet që jetësoi në film e teatër, si dhe trashëgimia e vyer artistike që fituan zemrat dhe merituan duartrokitjet e ngrohta të artdashësve do të nderohen dhe kujtohen gjithmonë me respekt! Ngushëllimet më të ndjera për familjen!”, shkruan Meta.

Kolosi i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, fituesi i “Sfinksit të Artë” mes aktorëve nga e gjithë bota me interpretimin e “Apologjisë së Sokratit”, mbylli sytë në moshën 75-vjeçare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA