Kryetari i Komunës se Zubin Potokut, Izmir Zeqiri e konfirmon për Top Channel që ka iniciativë për shkarkimin e tij.
Aleksandar Arsenijeviç, përfaqësues i serbëve në veri tha që janë mbledhur nënshkrime për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri.
“Është interesant fakti se punonjësit e rinj në institucionet e R. e Serbisë arritën të mbledhin gati 10 mijë nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës në veri. Tani ata shkuan të paraqesin një peticion para Listës Serbe dhe kjo ishte pagëzimi i tyre me zjarr, dhe tani le të mësohen të duartrokasin për 1000 dinarë”, shkruan Arsenijeviç.
Peticioni duhet të dorëzohet te Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Komunës së Zubin Potokut. Vedat Mehmeti thotë se deri më tani nuk e ka pranuar peticionin.
Në Komunën e Mitrovicës së Veriut ka shkuar një kërkesë nga tre qytetarë serbë “Iniciativa Demokratike” për shkarkimin e kryetarit Erden Atiç.
Sipas kryesuesit të Kuvendit Komunal, Nexhat Uglani kërkesa është dorëzuar direkt në zyrën e kryetarit me arsyetimin e mospunës së tij.
Megjithatë ai shton se kjo kërkesë nuk i ndjek procedurat administrative dhe nuk do të shqyrtohet.
Top Channel