Regjisori rrëfen kujtimet me Mirush Kabashin: E njoh që 5 vjeç, bëri me not distancën nga Sazani në Vlorë

05/12/2023 14:58

Regjisori dhe libretisti i njohur, Haxhi Rama ka rrëfyer disa nga kujtimet me aktorin e ndjerë, Mirush Kabashi, i cili ndërroi jetë sot.

Ai tregon se e ka njohur qëkur ishte 5 vjeç, ndërsa kanë bashkëpunuar në 10 deri në 15 projekte në teatër.

“Mirush Kabashi, “Nderi i Kombit”, për mua sot është dhimbja e kombit. Kjo dhimbje për mendimin tim mund të jetë ndoshta, ndoshta, ngushëllimi më i mirë për familjarët dhe për të gjithë ne dashamirësit e mi. Për mua ishte një mik i hershëm sepse e kam njohur që kur ishte 5 vjeç dhe më tej një koleg i shquar në punë. Një aktor me cilësi të jashtëzakonshme, me një ambicie profesionale fenomenale, vullnet, dhe mbi të gjitha duke qenë se jam në profesionin e regjisorit, ai si aktor e kuptonte kërkesën e regjisë, kërkesën e spektaklit, kërkesën e rolit. Dhe se dyti, e realizon. Me një kombinim të tillë, ky ishte tipar i inteligjencës së tij. Kështu, për jetën në përgjithësi të Mirushit unë do të thosha këtë, në historinë e teatrit të Durrësit ai nuk është “një faqe e ndritur” por një “kapitull i tërë i ndritur” sepse veprimtaria e tij artistike është e një game shumë të gjerë. Në recitime, në angazhime rolesh në spektakël, në interpretime rolesh në teatër… Ai ka një karrierë të jashtëzakonshme në teatër. Vetëm me mua si regjisor ai mund të ketë 10-15 spektakle në teatër. Filmi, po e dimë të gjithë, ishte ndër zhanret e tij të preferuara që ka debutuar me shumë sukses. Kështu që, humbja e Mirush Kabashit është një humbje kombëtare”, tha Haxhi Rama.

“Shpërthimi i parë i Mirushit nis me “Krist Akovi” me Vangjel Hevën, sa kishte ardhur atëherë nga shkolla e luajti në mënyrë të shkëlqyer. Pastaj me mua ka “Kartelën e Verdhë”, një nga mrekullitë e Mirushit që është dhënë mbi 400 herë, një shfaqe rekord në të gjithë republikën. Ka me mua prapë një shfaqe për të cilën jemi dekoruar të dy “Mirëseerdhe Elona”, në rolin e Nestorit. U vlerësuam të dy në Festivalin Kombëtar. Në vend të parë doli Robert Ndrenika, vendin e dytë e mori Mirush Kabashi. Është e vështirë të përmbledhësh në një intervistë të tillë. Meriton një emision të veçantë për të folur për Mirush Kabashin”, tha Haxhi Rama.

A kujtoni detaje të tjera përtej jetës në teatër meqenëse e keni njohur që 5 vjeç?

“Ka shumë të tilla. Mirushi është vëllai i tretë i 4 djemve të Musa Kabashit. Prindërit e Mirushit kërkonin vazhdimisht një vajzë, por ajo nuk erdhi asnjëherë. Ata vazhdimisht lindën djem. Dhe mbaj mend takimin e parë me Mirush Kabashin. Ka qenë shkolla “10 Korriku” këtu mbrapa dhe unë kam qenë shumë shokë me të vëllain, Kujtimin jo Mirushin, sepse kemi qenë në një klasë. Dhe në kërkim të një vajze, Mirushin e mbanin me flokë të gjata. Kjo u bë shkak atëhere, sepse tani quhet moderne, që Mirushin e ngacmonin shokët e klasës dhe ai druhej për këtë. Dhe mbaj mend që njëherë kishte hipur tek parmakët dhe po kërkonte ndihmë sepse po e ngacmonin shokët e vetë. Mund të ketë qenë atëherë 5-vjeç.

Ka një tipar të jashtëzakonshëm që e njohin të gjithë qytetarët e Durrësit, dashuria për detin. E bukura që bënte Mirushi dhe Spiro Rumi ishte noti. Por Mirushi e bënte më të sforcuar se Pipi, kalonte me not nga Teuta deri Iliria, me stil fluture, që është shumë e vështirë. Ka bërë edhe maratonën nga Sazani deri në Vlorë. Dhe më e bukura është se atë natë ne kishim llogaritur shfaqen dhe ai i hipi motorit të shokut të vet pasi kishte bërë 9 orë not dhe erdhi në mbrëmje në shfaqje”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA