Vrasja e 30-vjeçares Liridona Ademaj të mërkurën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Prishtinë tronditi shqiptarët.

Fillimisht, Policia e Kosovës rastin e raportoi si “grabitje me pasoja të vrasjes”, kurse dy ditë më vonë, policia njoftoi për arrestimin e tre personave të dyshuar për rastin.

Njëri nga ta ishte pikërisht bashkëshorti i të ndjerës, Liridonës, Naim Murseli, kurse tjetri i identifikuar ishte Granit Plava, i cili dyshohet se ishte ekzekutori i vrasjes me porosi.

Granit Plava, i cili është edhe bashkëfshatar me Naim Murselin, dyshohet se për kryerjen e vrasjes u pagua 30.000 euro nga Murseli, ku 15 mijë euro i kishte marrë para kryerjes së vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’i merrte më pas.

Më vonë Policia e Kosovës arrestoi edhe një person të tretë si të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, i cili ishte Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Por cila ishte arsyeja që e nxiti atë drejt kësaj vepre kriminale?

Sipas raportimeve në disa media, Naim Murseli para disa kohësh i kishte paguar sigurimin e jetës Liridona Ademajt në një kompani suedeze. E për këtë pretendohej se sigurimi mund të mbulonte shpenzimet deri në 20 milionë euro.

Mirëpo gazetari i gazetës suedeze “Bohusläningen”, Henrik Lundbjörk ka thënë për KosovaPress, se sipas njohurive të tij, shuma më e lartë e vlerës së sigurimit është 500 mijë euro.

Në një dokument që ka siguruar KosovaPress, konfirmohet se Naimi dhe Liridona kishin bërë një kërkesë të përbashkët për divorc në një gjykatë suedeze.

Megjithatë divorci s’kishte ndodhur, pasi brenda periudhës gjashtë muaj deri në një vit, të asaj që cilësohet periudhë e konsiderimit apo shqyrtimit, asnjëri s’kishin shkuar për të konfirmuar se duan divorcin.

Për këtë, Gjykata e Qarkut të qytetit Uddevalla më 24 shkurt të vitit 2020 kishte marrë vendim për të ndërprerë çështjen.

“Më 31 janar 2019, Liridonë Murseli dhe Naim Murseli kanë dorëzuar një deklaratë të përbashkët divorci. Gjykata e Qarkut vendosi që divorcit t’i paraprihet një periudhë shqyrtimi prej të paktën gjashtë muajsh dhe maksimumi një vit. Në lidhje me vendimin, gjykata e rrethit njoftoi palët se mund të kërkonin me shkrim ndarjen brenda afatit të caktuar. Asnjë kërkesë për vendim për divorc nuk ka mbërritur në gjykatën e rrethit. Çështja e ndarjes ka rënë. Gjykata e Qarkut e pushon çështjen nga procedimi i mëtejshëm”, thuhet në dokument.

Një ditë më parë Liridona u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës dhe u rivarros në fshatin e saj të lindjes, Rracaj, ndërsa ishin të pranishëm dhjetëra qytetarë. Janë ende të paqarta arsyet e vrasjes së Liridona Ademajt, ndërsa hetimet vijojnë ende.

FOTO GALERI
7/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA