Mediat britanike sillnin sot çështjen e abuzimit të emigrantëve nga agjenci të dyshimta punësimi, që i detyrojnë të rinjtë e ardhur të punojnë turne pambarim për pak ose fare para, në zona të ndryshme të vendit.
Omar, nga Afrika Perëndimore erdhi në Britani me nje vize pune për një jetë më të mirë, por ra viktimë e shfrytëzimit teksa kërcënohej se do të denoncohej e depërtohej nga vendi nëse nuk kryente ditët e tij 18-orëshe të punës, shkruan e përditshmja TheMirror.
Sipas raportimeve në fund të 29 ditëve të tilla pune, ai ishte paguar 300 paundë.
Omar mori intimidimet nga agjencia e punësimit pasi u ankua për kushtet e punës në një shtëpi kujdesi në Yorkshire në verilindje të vendit.
I riu thotë se dita e tij e punës niste nga ora 5 e mëngjesit deri në 11 të darkës.
Por megjithëse i ishte premtuar një rrogë 25,000 paundë në vit nga agjencia, ai mori vetëm £300 pas muajit të parë pa asnjë ditë pushim.
Atij i jepej gjithashtu akomodimi në shtëpinë e kujdesit dhe thotë se i pëlqente të kujdesej për të moshuarit por pagesa e tij ishte shumë më pak nga sa pritej, shkruan rrjeti lokal Yorkshire Live.
Duke folur për atë që kaloi, emigranti shkruante: “Agjencia papritur më tha se u detyrohesha atyre pagesa të qirasë, avokatëve, të pastrimit e transportit. Kur unë u ankova ata më thanë se do të anulojnë vizën dhe do të më kthejnë në shtëpi. Ndjehesha i zënë në grackë, me një rrogë të vogël dhe orë të gjata pune”.
“Ishte çështje mbijetese. Në vendin tim (Afrika Perëndimore) është shumë vështirë, por kur njerëzit vijnë në Angli përballen me abuzim, dhimbje edhe pse ke ardhur në një vend më të mirë.”
Omar shton më tej se kishte paguar agjencinë në Afrikën Perëndimore 10,000 paundë për vizën dhe vendin e punës në shtëpinë e kujdesit në Britani, kur në fakt kosto e aplikimit për vizë është 500-1000 paundë.
Ai pati fat që dikush njoftoi dhe policia erdhi për të kontrolluar mbi shfrytëzimin e punonjësve dhe tashmë Omar, është vendosur në një strehë shtetërore.
Ai thotë se në pritje të vendimit, merret me punë vullnetare dhe stërvitje por vetmia është e rëndë.
Mediat thonë se historia e Omar nuk është e vetme pasi mijëra emigrantë të ligjshëm në Britani që punojnë në sistemin e kujdesit për të moshuarit, e gjejnë veten të shfrytëzuar, nga agjenci pune të paskrupullta.
Ato i detyrojnë të ardhurit të punojnë orë të gjata për pak para dhe i kërcënojnë me largim nga vendi nëse ankohen.
Top Channel