Njëmbëdhjetë alpinistë u gjetën të vdekur pranë kraterit të vullkanit Marapi në Indonezi, i cili shpërtheu papritur gjatë fundjavës.

Tre persona u arrit të shpëtoheshin sot, por 12 të tjerë konsiderohen të zhdukur, dhe për momentin kërkimet janë pezulluar, për shkak se vullkani pati edhe një shpërthim tjetër, ndonëse më të vogël.

Mali Marapi është një prej 127 vullkaneve më aktive të Indonezisë. Reja e hirit që u ngrit në ajër pas shpërthimit të tij mbërrinte deri në 3 km sipas BBC. Autoritetet kanë vendosur nivelin e dytë më të lartë të alarmit pas situatës së krijuar dhe i kanë ndaluar banorët t`i afrohen kraterit në një rreze prej 3 kilometrash.

Tre personat e shpëtuar, të cilët u gjetën gjithashtu pranë kraterit, kishin marrë shumë djegie në trup. Dyzet e nëntë alpinistë janë evakuuar gjithsej nga zona, dhe pjesa më e madhe e tyre kanë djegie të ndryshme, si dhe fraktura. Zyrtarët vendas thonë se nuk mund të realizonin kërkime nga ajri me helikopterë, sepse aktiviteti vullkanik po vazhdon.

Ata premtuan megjithatë t`i vazhdojnë kërkimet pavarësisht rreziqeve, dhe sqaruan se ndërprerja e tyre është vetëm e përkohshme. Arkipelagu indonezian ndodhet në të ashtuquajturën Unazë të Zjarrit të Paqësorit, ku takimi i pllakave kontinentale shkakton aktivitet të lartë vullkanik dhe sizmik.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA