Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg me afat” drejtuesin e automjetit që përplasi punonjësin e policisë që kalonte në vijat e bardha.
Në fundjavë, Antonio Frroku i arrestuar nga policia është përballur me gjykatën e cila pasi ka dëgjuar palët ka vleftësuar të ligjshëm arrestin e tij dhe bazuar në kërkesën e prokurorisë ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg me afat 45 ditë” ndaj tij.
Polici Mariglen Allka u godit nga automjeti që lëvizte me shpejtësi në rrugën “Aleksandër Goga” mbrëmjen e 30 nëntorit, rreth orës 18:35, në lagjen nr. 8, përpara godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Automjeti me drejtues shtetasin A. Frroku, e ka përplasur punonjësin e policisë që në atë moment po kalonte në vijat e bardha. Polici i aksidentuar u vizitua, të nesërmen e ngjarjes, në spital dhe nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili kërkoi të rritet ndëshkueshmëria ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor. Balla deklaroi se do të propozojë një paketë ligjore, që parashikon të ndëshkojë shkelësit e rregullave të qarkullimit në perimetrin e sigurisë së shkollave, në qendrat e banuara e pranë institucioneve.
Frroku dyshohet për kryerjen e vepres penale të parashikuar nga neni 290/2 i Kodit Penal. Nëse ai gjendet fajtor për këtë akuzë që konsiston në shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë plagosjen e rëndë të një personi, rrezikon të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Top Channel