“Naim Murseli i ka futur plumbat vetë tek arma”/ Karamuço për vrasjen e Liridona Ademajt: Mëngjesin tjetër hëngri në hotel

04/12/2023 22:02

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço tregoi me detaje në “Top Story” të gjithë pistën e vrasjes së Liridona Ademajt, ekzekutim që dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj Naim Murseli.

Ai tregoi se skena në të cilën ndodhi është një zonë ku nuk ka kamera, pak më larg rezidencës ku jetonte viktima së bashku Naim Murselin dhe dy djemtë e tyre. Ndërkohë që në atë zonë ka pasur një kamera të vendosur nga policia, që pas një grabitjeje të ndodhur më parë.

Sipas Karamuços, duke qenë një zonë me vila, ku jetonin njerëz me kushte shumë të mira financiare, uniformat blu kanë dashur të kenë në kontroll situatën.

Eksperti i kriminalistikës tregoi se autorët kanë shkruar direkt në anën e pasagjerit, gjë që nuk ndodh nëpër grabitje, fillimisht autorët shkojnë në anën e shoferit. Ndër të tjera ai shpjegoi se fëmijët e viktimës kanë deklaruar se mamaja e tyre nuk ka bërë rezistencë ndaj grabitësve, gjë që nuk i shtyn grabitësit të kryejnë vrasje.

Shpjegohet më tej se telefoni i dytë që Murseli ka pasur me vete, për të cilin pretendoi se ia kishin grabitur, ka qëndruar i hapur deri në mëngjes. Detajin tjetër të rëndësishëm që eksperti i kriminalistikës shpjegoi janë shenjat e gishtërinjve tek fishekët, pra Naim Murseli i ka futur fishekët tek arma vetë.

Ervin Karamuço: Një skenë krimi e zgjedhur në një rrugë që s’kishte as ndërtesa, as kamera. Diku më parë ka pasur një tentativë vjedhje, për këtë arsye policia ka vendosur kamera. Është një zonë që qëndrojnë njerëz që janë me status të mirë ekonomik. Për fat të mirë aty ka pasur një kamera që ka filmuar makinën. Në të gjithë dinamikën e ngjarjes makina ka ardhur në krahun e pasagjeres. Ka ndaluar makinën. Gjithmonë autori vjen nga ana e shoferit, jo e pasagjeres. Më pas shoferi ka dalë nga makina dhe ka marrë fëmijën. Ndërkohë grabitësit nuk marrin telefon me vete, u bë kohë që nuk përdoret kjo metodë. Këto deklarata kanë vënë në dyshim policinë… Ndërkohë të nesërmen ai (Naim Murseli) hante i qetë në një hotel në Prishtinë. Një person i tronditur nuk mund të jetë në gjendje të vijojë rutinën.

Milaim Zeka: Në hotel të Pacollit ka qëndruar. Edhe vila ku qëndronte është rezidencë që e ndërton Behgjet Pacolli.

Ervin Karamuço: Nëse bën rezistencë mund të qëllohesh. Nëse i zbulohet identiteti autorëve atëherë mund të reagojnë. Këto të dyja nuk kanë ndodhur. Autori maskën e ka pasur dhe s’ka pasur arsye për të qëlluar sepse me sa kanë deklaruar fëmijët mamaja e tyre nuk ka bërë rezistencë.

Milaim Zeka: Liridona është goditur në qafë, ndërkohë xhami ka qenë i hapur pak. Ka qenë i hapur aq sa tyta e armës mund të futej brenda.Vetëm një goditje ka marrë. Me sa duket ai ka hapur derën dhe e ka konstatuar se ishte e vdekur.

Ervin Karamuço: Nuk ka pasur kamera për ta filmuar. Nga ana e policisë shumë profesionale. Ka parë të gjithë trafikun e telefonatave që ka bërë. Ky kishte telefon të dytë që e mbante. Ai thoshte që nuk e kam telefonin sepse e ka grabitur autori. Ndërkohë ai ka pasur të hapur telefonin. Celulari Naim Murselit ka qenë tek makina e ekzekutorit dhe ka qenë i hapur deri në mëngjes. E gjithë kjo ngjarje ka pasur aq gabime saqë… Edhe në varrim është mbajtur nën kontroll ngaqë i frikësoheshin mos iknin. Janë kapur gjurmët e gishtave tek fishekët. Bashkëshorti (Naim Murseli) i ka futur vetë fishekët tek arma.

Top Channel