Entjan Nikulaj dyshohet të jetë viktima e 3 e hakmarrjes mes dy fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj në Lezhë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Nikulaj është mbajtur në vëzhgim nga atentatorët pasi makina tip “BMW” gri është kapur nga kamerat e sigurisë, por nuk është bërë ende i mundur identifikimi i autorëve pasi ata janë treguar të kujdesshëm. Burime thonë se deri më tani janë shoqëruar disa persona për të dëshmuar mes tyre dhe të afërm të fisit Lekstakaj por pas dëshmisë së tyre janë lënë të lirë pasi nuk është arritur të provohet që të kenë lidhje me ngjarjen.
Po ashtu nga ekspertiza mjeko ligjore ka dalë së trupi i Nikulajt është prekur nga 7 plumba kryesisht në shpinë dhe shpatull, dhe 2 prej tyre i kanë prekur organet jetësore.
Në më pak se 1 vit saga e hakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj mori 3 jetë njerëzish. Por si nisi hasmëria mes dy fiseve nga Ballderni?
Historia e përplasjes mes fiseve ka nisur para 27 viteve, në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për 10 mijë lekë të vjetra.
Asokohe, vëllai i Ardian Nikulaj së bashku me një person tjetër ishin shitës në karburant dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën dhe pas kësaj, shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnizimit me karburant.
Në debat e sipër, drejtuesi i mjetit është larguar për pak çaste, duke u rikthyer në karburant i armatosur dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve duke i lënë të vdekur në vend mes të cilëve dhe vëllain e Ardian Nikulaj.
Kjo ngjarje ishte dhe zanafilla e hasmërisë së fiseve Lekstakaj dhe Nikulaj, e cila pas disa muajsh të po atij viti, do të vijonte me vrasjen e Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja, ky i fundit nip i familjes. Ndërkohë në vitin 1999 u vra Gjovalin Lekstakaj dhe u plagos rëndë Pjetër Lekstakaj. U deshën 24 vite për të marrë hak sërish ndaj Nikulajve ku me 19 prill të këtij viti u ekzekutua për vdekje biznesmeni Ardian Nikulaj. Pak muaj pas vrasjes së tij në po të njëjtën datë me 19 korrik mbeti i vrarë Nikolin Lekstakaj pranë një biznesi në Balldre të Lezhës. E teksa policia vijonte hetimet për vrasjen e Nikulajt dhe Lekstakajt, hakmarrja do të godiste sërish një nga fisi Nikulaj ku mbrëmjen e 2 dhjetorit do të ekzekutohej Entjan Nikulaj, djali e xhaxhit të Ardian Nikulajt.
Top Channel