Tre të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt u lanë në paraburgim këtë të diel nga Gjykata e Prishtinës.
Një muaj paraburgim u caktua për bashkëshortin e Liridona Ademajt, Naim Murseli, si organizator i vrasjes, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, njofton gjykata në një deklaratë.
Ndërkohë, jashtë gjykatës, po mbahet një protestë simbolike, organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
“Nuk ka paqe, pa sigurinë e grave”, është pankarta që mbajnë në dorë aktivistet.
“Nuk do të qëndrojmë të qeta, përderisa burrat dhunojnë e vrasin vajza dhe gra. Gratë çdo ditë përjetojnë luftë”, u shpreh Trina Binaku:
“Nuk do të qëndrojnë të qeta, përderisa burrat vazhdojnë dhunojnë e vrasin vajza dhe gra. Vetëm këtë javë u njoftuam se një polic e përdhunojë dhe e shantazhojnë një të mitur në Gjakovë. Një burrë tjetër përdhunoj një të mitur në Pejë e një burrë pagoi vrasjen e gruas së vet në Prishtinë. Dhuna e gjinizuar ndaj vajzave dhe grave dhe femicidi nuk janë incidente të izoluara apo simptoma të problemeve psikologjike të kryerësve të këtyre krimeve, ato janë simptoma të parktialkalizmit, i cili vazhdon ta qeverisë familjaren, shoqërinë, pushtetin dhe të gjithë ne. Ato janë pasoja e një dhune strukturore partiarkale që vazhdon të shtyp gratë e të prodhoj dhunues e vrasës në çdo celulë të organizimit shoqërorë e politikë. Ne gratë dhe vajzat në Kosovë, jetojmë në frikë të vazhdueshme për sigurinë tonë dhe sigurinë e njëra tjetrës. Dhuna e gjinizuar po na ngulfat në secilën hapësirë e disa edhe po i vret e kjo nuk duhet të vazhdoj kështu, vendi jonë nuk mund të ketë paqe përderisa gratë çdo ditë përjetojnë gjendje lufte”.
Ndërsa, të martën duke filluar nga ora 18:00, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur një protestë në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.
“Sot nga Pallati i Drejtësisë ku po gjykohen vrasësit e Liridona Ademajt thërrasim në organizim dhe veprim të gjithë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare”, u shpreh Binaku.
Top Channel