Dhunoi bashkëshorten, arrestohet autori në Pogradec, iu gjet armë në banesë

03/12/2023 09:10
Foto Ilustruese

Një 52-vjeçar është vënë në pranga në Pogradec, me dyshimin se ka dhunuar bashkëshorten e tij.

Gruaja ishte e pajisur me urdhër mbrojtje, por kjo nuk e pengoi shtetasin me iniciale D.T. t’i ofrohej dhe ta dhunonte sërish.

Ngjarja ndodhi në fshatin Piskupat të Pogradecit. Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, të cilën 52-vjeçari e posedonte pa leje. 52-vjeçari pritet të hetohet nga Prokuroria e Korçës.

Edhe në Cërrik, një 40-vjeçar është vënë nën hetim, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Ngjarja ndodhi në fshatin Vidhas të Cërrikut.

Top Channel