“Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton“/ Ekzekutimi i Liridona Ademajt, reagon Kurti: U vra se ishte grua

03/12/2023 18:06

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për vrasjen e Liridona Ademajt, ku shprehu keqardhjen, ndërsa nuk munguan as kritikat për sistemin e drejtsëisë.

“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua. Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë. Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore”, e nis shkrimin e tij në Facebok, Kurti.

Ai kërkoi që si urdhëruesi i dyshuar i vrasjes, bashkëshorti i viktimës, dhe bashkëpunëtorët e tjerë, duhet të marrin dënimin maksimal.

“Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin”, vijon më tej kryeministri i Kosovës.

Kurti shkruan se për të parandaluar këto krime makabër duhet të zhdukim kulturën patriarkale.

“Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi.  Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend. Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu. E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, e mbyll postimin ai.

Lexo edhe: Trupi i Liridona Adermajt rivarroset nesër në fshatin e saj të lindjes

Top Channel