​”Fëmijët nuk e dinë ende se u ka vdekur nëna”/ Vëllai i Liridona Ademajt: Besojmë në drejtësi

03/12/2023 13:35

Leonard Ademi, vëllai i Liridonës, që u vra nga bashkëshorti tha se nuk u lejua të marrë pjesë në seancën që u mbajt sot ndaj tre të dyshuarve.

Pas përfundimit të gjyqit ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, ai u shpreh se beson te drejtësia në Kosovë.

Ai foli edhe për kërkesën që kanë bërë si familje për rivarrim të Liridonës në fshatin e lindjes.

“As nuk e kam ditë që nuk bën me qen sot në seancë se tha është seanca e parë, seancat tjera tha duhet të bëjmë kërkesë për të hyrë ne brenda. Po e kemi bërë kërkesën për zhvarrosje dhe prokurorin e rastit, e kemi bërë edhe një kërkesë me shkrim që rivarrimi sa më shpejt me ndodhë është më lehtë për familjen tonë dhe për të gjithë ata që janë te na sepse shumica janë në mërgim e kanë afatin të caktuar dhe shumë shkurt, edhe ata mezi po presin një varrim sa më të shpejt me na lehtësuar edhe dhimbjen mos me merituar atë vend atje ku është por me ardh në vendin e vet, ku i ka të gjithë.. akoma nuk kemi marrë përgjigje”.

Çështja e parave mund të jetë shkaku që Naimi porositi vrasjen e Liridës, sipas tij.

“Nuk kemi asnjë kontakt me familjen e atyre. Ditën kur e kanë arrestuar Naimin na kanë thirr në telefon dhe na kanë thënë është edhe dy ditë e për ngushëllime dhe këtu është bërë një keqkuptim sepse kanë thënë dy ditë iu është dhënë afat, besë, ajo nuk është e vërtet, kanë thënë e kemi edhe dy ditë të pame, baba i ka thënë mbanë të pamën edhe dy ditë siç e keni pas dhe nuk ka pas dy ditë besë, tre ditë besë, ne gjithçka që kemi ia lënë drejtësisë, besojmë në drejtësinë e Kosovës. Me fëmijët kemi pas kontakt, sepse ka ardhur edhe shoqata e socialit, thanë që fëmijët janë mirë mos keni merak për ta, ata nuk kanë telefon se janë të vegjël.. kujdesin ndaj tyre e kanë gjyshërit. Na kanë pyetur për fëmijë si po mendoni për me i marrë fëmijët e kështu, te ne është gjendja katastrofale, janë shumë të mërzitur, fëmijët nuk e kanë kuptuar ende që nëna i ka vdekur dhe me ardhë te ne është shumë më lehtë me kuptu se çka ka ndodh, i kemi lënë te ata sepse edhe fëmijët e vëllait të Naimit janë një gjeneratë dhe me ta është duke iu kaluar koha pa e kuptuar, pa e marrë mesazhin e nënës”, tha ai, duke shtuar se fëmijët do të qëndrojnë te prindërit e Naimit derisa shteti suedez t’i marrë nën përkujdesje.

“Besojmë në drejtësi dhe le të jetë rasti i fundit që Liridona ka vdekur, mos të vritet më asnjë grua, asnjë nën dhe asnjë motër e jona”, tha ai.

Ndërsa avokatët e tre të dyshuarve nuk folën për mediat.

Një muaj paraburgim u caktua nga gjykata këtë të diel për Naim Murselin, si organizator i vrasjes, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së.

Top Channel