Mes dhimbjes për humbjen e njeriut të dashur, familja e Liridona Ademajt po mendon edhe shpagimin.

Mediat në Kosovë citojnë vëllain e saj të pohojë se do ta zhvarrosin trupin e 30-vjeçares, e cila u vendos një ditë më parë të prehej në varrezat e familjes së bashkëshortit të saj, Naim Murseli, i cili është ndaluar nga policia e Kosovës nën dyshimin se pikërisht ai e kishte porositur vrasjen e saj.

“Nuk ka pasur probleme asnjëherë. Motra jonë ishte e ndershme. Ne do ta zhvarrosim trupin, duan apo nuk duan ata. Familjes Murseli i kemi dhënë dy ditë kohë, edhe kaq shumë e kanë”, mësohet të ketë thënë ai. Në raportin e saj 24 orësh, policia njofton se është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 19 fishekë dhe një automjet i përdorur sipas saj për të kryer krimin.

Murseli dyshohet se i ka ofruar Granit Plavës 30 mijë euro për t`i marrë jetën bashkëshortes së tij. Raportohet se 15 mijë ia kishte dhënë përpara krimit të rëndë, e 15 mijë të tjerat do t`i merrte pas vrasjes. Zyrtarisht ende nuk është konfirmuar, por shtypi vendas raporton se Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke e drejtuar gishtin nga Murseli si porositësi, e madje thuhet se edhe ky i fundit është rrëfyer përpara hetuesve.

Lidhur me vrasjen e Liridonës, është arrestuar edhe Kushtrim Kokalla, që raportohet të jetë nipi i Naim Murselit. Kokalla është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, e konfirmuar kjo nga Ministria e Mbrojtjes. Liridona u qëllua ndaj asaj që u inskenua si grabitje teksa ndodhej në makinë së bashku me të shoqin dhe dy fëmijët e saj. Naim Murseli ka qenë këshilltar i Behgjet Pacollit, i cili reagoi ndaj ngjarjes së rëndë duke e cilësuar “ si të pabesueshëm dhe të trishtë këtë akt kriminal”.

Top Channel