​Vrasja e Liridona Ademajt, nesër seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe dy të tjerëve

02/12/2023 13:47

Seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, i cili dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj, i paguari Granit Plava dhe nipi Naimit, Kushtrim Kokalla, do të mbahet nesër në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas KosovaPress-it, në seancën e paradites, të akuzuarve, dy prej të cilëve kanë pranuar fajësinë, pritet të vendoset një muaj paraburgim.

Ndërkohë, lidhur me rastin ka reaguar edhe  Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), e cila ka kërkuar që hetimet të zhvillohen në përputhje me ligjin.

Para tre ditëve në mënyrë mizore u shua jeta e një njeriu, një gruaje, një nëne, një bije dhe një motre, u shua jeta e Liridona Ademajt që shkaktoi, me të drejtë hidhërim të madh të qytetarëve të Kosovës dhe jo vetëm të Kosovës. Me këtë rast KMDLNJ- ë shpreh shqetësim të thellë për vrasjen mizore të Liridona Ademaj dhe ngushëllon sinqerisht familjen Ademaj për këtë humbje të rëndë. KMDLNj-ë, në të njëjtën kohë vlerëson lartë përkushtimin, profesionalizmin dhe efikasitetin e institucioneve përgjegjëse për mbrojtje të ligjit për zbardhjen e shpejtë të rastit dhe arrestimin e të dyshuarve për këtë krim, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit që brenda një qarku të ngushtë kohor zbardhën dy raste të rënda kundër jetës, sigurisë dhe pronës. KMDLNj e njeh dhe e pranon parimin e përgjegjësisë penale individuale andaj ftonë të gjithë që të përmbahen nga deklaratat në të cilat përfshihen palët e treta, pa qenë fare të implikuara në këtë rast”, thuhet në reagim.

 Si ndodhi ngjarja?

Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, bazuar në rrëfimin e Naim Murselit. Policia tha se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri. Por me arrestimin e bashkëshortit të viktimës, ngjarja merr kthesë të madhe…

Top Channel