Si pasojë e motit të keq, autoritetet detare shqiptare në bashkëpunim me kompanitë e lundrimit kanë vendosur pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së trageteve në të dyja drejtimet për linjat Durrës-Bari-Durrës dhe Vlorë-Brindizi e kthim gjatë ditës së premte.
Krahas trageteve të këtyre linjave, është ndaluar edhe lundrimi i anijeve të tonazhit të vogël, përfshirë dhe flotën e peshkimit.
Drejtoria e Përgjithshme Detare me qendër në portin e Durrësit bën me dije se ndërprerja e lundrimeve për tragetet e këtyre linjave dhe anijet e peshkimit bëhet pasi deti regjistron një forcë prej 7-8 ballësh dhe dallgëzimi në det të hapur arrin deri 3.5 metra.
“Jemi njoftuar që për linjën Durrës-Bari-Durrës në të dy krahët do të ndalohet lundrimi i trageteve për arsye të forcës së detit që arrin deri në 7-8 ballë në det të hapur. Linja e Ankonës vazhdon normalisht. Në port situata është normale dhe ditën e nesërme do të normalizohet situata detare me nisjet drejt Barit në orën 22:00. Që ditën e djeshme, DPD ka njoftuar ekuipazhet e anijeve të vogla dhe ato të peshkimit që ndodhen në port të forcojnë masat e sigurisë në mjetet e tyre detare”, tha Tauland Allka, kapiten i Portit Detar Durrës.
Në kushte të tilla detare, ndërprerja e lundrimit konsiderohet një masë e nevojshme për sigurinë dhe mbrojtjen e pasagjerëve, ekuipazheve, anijeve dhe mallrave në det, pavarësisht se ajo ka pasojat e veta në aktivitetin detar dhe ekonominë lokale dhe më gjerë. Autoritetet përgjegjëse monitorojnë vazhdimisht kushtet detare, në mënyrë që të marrin vendime të qëndrueshme që të ulin pasojat negative dhe rrisin sigurinë.
Top Channel