Ka nisur punimet dy-ditore samiti i OSBE-së në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ndërsa shtetet baltike, Ukraina dhe Polonia kanë bojkotuar pjesëmarrjen në shenjë proteste për prezencën e Rusisë.
Samiti filloi që mbrëmjen e së mërkurës me një foto familjare të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, ndërsa vijoi me një darkë joformale, ku të pranishëm ishin dhe sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josef Borrell.
Ndërkohë, të dy diplomatët e lartë janë larguar për të mos pasur kontakte me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, që për herë të parë ulet në një tryezë të nivelit të lartë europian që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Në fjalën e tij hapëse, kryesuesi në detyrë i OSBE-së kritikoi luftën e vazhdueshme të Rusisë.
“Lufta e agresionit të Rusisë në Ukrainë është një shpullë fytyrës ndaj të gjitha vlerave që kjo organizatë mban të shenjta. Lufta minon besimin, dialogun dhe kapacitetin tonë për t’i shërbyer sigurisë dhe bashkëpunimit”, tha Bujar Osmani.
Njëzëri iu bashkuan Maqedonisë së Veriut edhe shtetet e tjera anëtare në samit për të dënuar luftën në Ukrainë. Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të Lavrov, që në fjalën e tij tha se OSBE është bërë shtojcë e NATO-s, ndërsa më tej tha se Organizata është në prag të shkatërrimit, pasi nuk respekton barazinë e të gjithë anëtarëve të saj, duke paralajmëruar bojkotin e punës në të ardhmen, që do të sillte shkatërrimin e Organizatës që vepron për 50 vite për sigurinë dhe bashkëpunimin në Europë.
Tensionet janë rritur pasi Rusia bllokoi kandidaturën e Estonisë për të marrë presidencën e OSBE-së vitin e ardhshëm. Një konsensus i vështirë u arrit që Malta të marrë drejtimin, një vend jo-anëtar i NATO-s, por ka ende pikëpyetje nëse Rusia do japë votën për zgjatjen e mandateve në katër pozicione të tjera kyçe të OSBE-së.
Top Channel