Franca evakuon sërish kampin e improvizuar të refugjatëve në bregdetin verior

30/11/2023 19:03

Mëngjesin e sotëm policia franceze ka evakuar me forcë emigrantët nga një kamp i improvizuar në plazhin Dunkirk në veri të vendit, ku azilantët qëndronin me shpresë të merrnin gomonet ilegale për të shkuar drejt Britanisë së Madhe.

Autoritetet ishin përgatitur me autobusë për zhvendosjen e emigrantëve larg bregdetit verior drejt qendrave të kontrollit e procesimit, shkruan rrjeti vendas AFP.

Zyrtarët thanë se rreth 500 emigrantë u larguan nga kampi me tenda mes pemëve, që më pas u pastrua nga grupet mobilizuara shtetërore.

Një aktiviste e shoqatës së bamirësisë së emigrantëve në Calais tha se operacioni kishte nisur rreth orës 5 të mëngjesit. “Ne ishim këtu kur policia erdhi duke zgjuar njerëzit për t’i shoqëruar, ata nuk arritën të mblidhnin sendet e tyre”, ankohej aktivistja.

Kjo nuk është hera e parë që evakuohet kampi i Calais, i cili është zbrazur dhe dy herë të tjera këtë vit, sipas grupeve të bamirësisë me qëllim të “ezaurojnë dëshirën e njerëzve për të shkuar ilegalisht në Britani”.

Zyrtarët e prefekturës kishin theksuar më parë nevojën e strehimit të njerëzve me afrimin e dimrit, teksa kampi u lag nga shirat e nëntorit dhe temperaturat tashmë janë ulur ndjeshëm.

Dy njerëz vdiqën duke tentuar kalimin e ngushticës drejt Anglisë më 22 nëntor, ndërsa në këtë ditë në 2021, tragjedia i mori jetën 27 emigrantëve në një barkë të fundosur.

FOTO GALERI
1/5
Mëngjesin e sotëm policia franceze ka evakuar me forcë emigrantët nga një kamp i improvizuar në plazhin Dunkirk në veri të vendit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA