Një flamur palestinez ishte ngritur në hyrjen e bashkisë së kryeqytetit norvegjez Oslo në solidaritet me njerëzit në Gaza, si dhe për Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez të mbajtur nga OKB.
“Kur e dimë që kanë vdekur më shumë se 5,000 të mitur e fëmijë, është natyrale që t’i kujtojmë ata sot,” tha kryebashkiakia Anne Lindboe për rrjetin AFP.
“Është e rëndësishme që Oslo të jetë një qytet i të gjithëve, ku të ndjehen të sigurtë e të përfshirë si ata me origjinë palestineze dhe komuniteti i vogël hebre”, shtonte ajo në eventin e organizuar nga disa aktivistë pro-palestinezë.
Ndërkohë në Gaza vijonin përpjekjet për të ndaluar dhunën mizore teksa sot skadonte afati armëpushimit gjashtë ditor.
Izraeli ka bombarduar zonat e banuara në veri të Gaza prej shtatë javësh duke rrafshuar banesat e duke vrarë rreth 15 000 palestinezë, rreth një të tretën prej tyre të mitur. Ushtria thotë se sulmi është në kundërpërgjigje ndaj vrasjeve të Hamas brenda Izraelit në sulmin e 7 tetorit.
Thirrjet e ndalimit të gjakderdhjes së paprecedentë kanë ardhur nga shumë faktorë të politikës.
“Gaza është në mesin e një katastrofe të rëndë humanitare”, tha kreu i OKB, Guterres pas bombardimeve që kanë sheshuar ndërtesat dhe lënë banorët pa ujë e ushqim.
“Negocjata po zhvillohen për zgjatjen e armëpushimit, që ne e mirëpresim, por në fakt nevojitet një armëpushim humanitar”, tha ai në Këshillin e Sigurimit.
Top Channel