Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se me ftesë të profesorit amerikan, Edward Joseph, ka ligjëruar në Universitetin “John Hopkins” në Washington të Shteteve të Bashkuara.
Në llogarinë e tij në Facebook, Hoti shkruajti se ai ka folur në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se progresi i Kosovës në dialog nuk duhet të varet nga vullneti i fqinjit verior, por nga veprimet për të ndërmarrë veprime vizionare për të ardhmen euro-atlantike të Republikës së Kosovës.
“Theksova se, Kosova dialogon para se gjithash me aleatët për hapat që duhet ndërmarrë në këtë proces për tu siguruar se Kosova lëviz përpara në integrimet euro-atlantike, në forcimin e demokracisë, në zhvillim ekonomik që parandalon emigrimin dhe rrit standardin e jetës”, ka thënë deputeti i LDK-së.
Hoti shtoi se Kosova nuk duhet të shndërrohet në çështje të sigurisë rajonale dhe se Kosova është histori suksesi në ndërtimin e shtetit demokratik dhe gjithëpërfshirës.
Ai gjithashtu theksoi se Kosova duhet sa më parë të futet në Programin për Paqe të NATO-s, si hap i parë formal drejt anëtarësimit në NATO.
Top Channel