Modelja britanike refuzon akuzat për atentat ndaj politikanit në Spanjë, me motoçikletën e shqiptarit

28/11/2023 15:33

Një britanike e arrestuar në Spanjë si e dyshuar për atentatin ndaj një politikani të lartë ka refuzuar akuzat, ndërsa familjarët e saj thonë se “ajo merret me modën e artin dhe jo me fushata terrori”.

Familja britanike që jeton në Spanjë thonë se janë shkatërruar nga akuzat se bija e tyre, modele rrjeti, ka ndihmuar në një sulm terrorist.

Në dukje Sasha Brooks është vajza e re tipike që shijon jetën e plazhit dhe rregullisht poston foto të vetes në plazhet dhe baret e Marbella e Granada me miqtë e saj.

Në fotot e pushimeve nga Ibiza, Mallorca e madje Australia, ajo shihet e veshur me stil duke shijuar diellin dhe jetën e natës.

Por të gjitha këto morën fund javës që shkoi kur u arrestua bashkë me të dashurin e saj spanjoll Naraya Gomez, në shtëpinë e tyre në Granada, vetëm një orë larg plazhit të Costa del Sol.

Gjykata e Madrid i akuzon për pjesëmarrje në tentativën e vrasjes së politikanit të djathtë spanjoll Alejo Vidal-Quadras.

78-vjeçari u qëllua në fytyrë nga një vrasës me pagesë në motoçikletë, teksa kjo e fundit ishte e regjistruar me emrin e një shqiptari atje, shkruanin mediat vendase.

Ngjarja ndodhi në zonën ekskluzive të Salamanca në Madrid – ku banojnë futbollistë të njohur apo aktorë si Penelope Cruz e Javier Bardem.

Pas arrestimit të Sasha e Naraya mbrëmë, qyteza e vogël Lanjaron me vetëm 3,000 banorë, u kthye në një “cirk të grupeve të mediave”, shkruan rrjeti britanik Daily Mail.

Një fqinje e të resë, e quajtur Maria tha për rrjetin Olive Press: “Duket sikur po xhirojnë ndonjë film, ka dy ditë që vjen policia me maska duke nxjerrë kuti nga shtëpia e tyre, sikur të ishin terroristë”.

Në seancën gjyqësore nëna e Sasha tha se cështja ishte ezauruese për të bijën.

“Kam ardhur nga Britania në Madrid që ta ndihmoj sa të jetë e mundur, mbetet në dorë të gjykatësit nëse do të ngrejë akuzat apo jo”, tha nëna e të akuzuarës, duke shtuar se e bija ishte në liri me kusht por i kanë marrë pasaportën.

Të dashurit të saj Naraya iu refuzua liria me kusht, teksa raportohet se është i konvertuar në fenë islame dhe sipas mediave ka lidhje me Iranin.

26 vjeçari Naraya, akuzohet se ka pajtuar vrasësin me pagesë, një franko-tunizian i kërkuar nga policia, që kreu krimin me një motoçikletë në emër të një 22 vjeçari nga Shqiperia.

Ky i fundit rezultoi se nuk kishte lidhje me ngjarjen, tha policia.

Babai i Naraya tha për mediat se i biri ishte i lumtur për lidhjen disa mujore me Sasha të cilën e kishte njohur pasi punonte në biznesin e nënës së saj.

“Ai nuk është konvertuar në fenë islame, është gënjeshtër, është hebreo-kristian”, tha i ati.

Policia tha se po kryen hetimet në fshehtësi pasi ende nuk kanë zbuluar porositësin e vrasjes dhe as autorin e saj.

FOTO GALERI
1/5
Familjarët e saj thonë se “ajo merret me modën e artin dhe jo me fushata terrori”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA