Aktorja e serialit amerikan “Sex and the City” Cynthia Nixon bashkë me pesë politikanë në SHBA, kanë hyrë kësaj jave në grevë urie teksa i kërkojnë presidentit Biden armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës.
“Këtu nuk ka asgjë normale, asgjë nga kjo rutinë lufte nuk duhet të lejohet të vazhdojë”, tha 57 vjeçarja Nixon, në konferencën e shtypit jashtë Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar 14,300 palestinezëve të vrarë në Gaza nga bombardimet izraelite, pas sulmit të Hamas brenda Izraelit më 7 tetor, shkruan revista TIME.
Nixon – e cila ka luajtur personazhin e saj të vjetër Miranda Hobbes në serialin e njohur “Sex and the City”– ka qenë më parë mes 260 artistëve që nënshkruan letrën e hapur ku i kërkohej Kongresit dhe Biden armëpushimi në konfliktin brutal.
Tashmë ish-kandidatja për guvernatore e shtetit të New York do të marrë pjesë në grevën pesë-ditore të urisë, para se të kthehet në New York për punët e saj, tha dje për mediat aktorja.
“Ne jemi këtu në grevë urie për t’i bërë të ditur Biden ngjarjet çnjerëzore që po ndodhin në Gaza dhe se ai ka pushtetin për të vendosur armëpushimin”, tha Nixon për gazetarët e ‘Times of Israel’.
Ajo shtonte se fëmijët e saj janë me origjinë hebreje dhe se gjyshërit e tyre ishin të mbijetuar të kohës naziste.
Nixon ka dy djem me ish-bashkëshortin Danny Mozes, i cili është hebre.
“Djali im më ka kërkuar të ngrej zërin që kjo të mos ndodhë më”.
Në shtatë javë bombardime Izraeli ka vrarë në një rrip të vogël toke më shumë njerëz sesa u vranë në 20 vjet luftë në Afganistan.
“Jam e lodhur nga njerëz që shpjegojnë se viktimat civile ndodhin në një luftë, nuk ka asgjë normale me këto vdekje e këtë masakër”.
Pesë politikanë – Madinah Wilson-Anton nga Delaware, Zohran Mamdani nga New York, Mauree Turner nga Oklahoma, Sam Rasoul nga Virginia, e Abraham Aiyash nga Michigan – po marrin pjesë gjithashtu në grevën e urisë, raportonte TIME.
Wilson-Anton tha se shpresonte që greva të ndërgjegjësonte për faktin se “qeveria, kongresi dhe presidenti SHBA po financojnë këtë politikë të vdekjeve nga uria në Rripin e Gazës”.
“Ne dërgojmë para amerikane për të bombarduar komunitetet në Gaza dhe nuk besoj se presidenti po përdor fuqitë e tij për të sjellë një armëpushim t përhershëm”, tha ajo sipas rrjetit TIME.
Top Channel