Shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n, ka paralajmëruar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien.
Komentet e zyrtarit amerikan sipas Radio Evropa e Lirë vijnë përpara pjesëmarrjes së sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken në takimin dyditor të ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të NATO-s.
Më herët gjatë ditë sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha se do diskutohet edhe shtimi i përhershëm i numrit të ushtarëve në kuadër të misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë.
“Së fundmi kemi shtuar praninë tonë në Kosovë, duke dërguar mijëra ushtarë shtesë. Tani po shikojmë nëse duhet të ketë një shtim më të përhershëm dhe nëse kemi nevojë për disa aftësi të reja të posaçme”, tha Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s premtoi se aleanca ushtarake perëndimore do të bëjë gjithçka për ta ruajtur paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai i dërgoi një mesazh të posaçëm Serbisë dhe Kosovës që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve.
“Ne ftojmë Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen në dialogun, e mbështetur nga BE-ja, në mirëbesim, dhe gjithashtu besojmë se propozimi i ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm për dialogun dhe që ky proces të jetë më konstruktiv”, theksoi ai.
Lufta në Ukrainë do të marrë vëmendjen kryesore gjatë takimeve dy-ditore, por Stoltenberg konfirmoi se do të diskutohen edhe veprimet destabilizuese të Rusisë në Evropë edhe më gjerë. Ai paralajmëroi se Rusia po përpiqet të krijojë destabilitet me dezinformata, sulme kibernetike dhe krizën e migracionit.
Top Channel