Ministri i Shtetit i Greqisë, Savros Papastavrou theksoi të hënën se burgimi i Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës nuk është vetëm një çështje dypalëshe, por një çështje evropiane.
“Çështja e Belerit është thelbësisht evropiane, jo dypalëshe. Ai sillet rreth respektimit të shtetit të së drejtës,” tha Papastavrou në një intervistë për radio Skay.
“Nëse z. Beleri nuk do të ishte anëtar i minoritetit etnik grek apo ndonjë minoriteti, është e qartë se Greqia mund të mos kishte shprehur të njëjtin nivel interesi. Megjithatë, për sa i përket BE-së, kjo duhet parë si një çështje evropiane. Nëse një autoritet ekzekutiv në çdo shtet ka aftësinë të refuzojë të betohet dikë bazuar vetëm në preferencat personale, kjo përbën një problem për Evropën”, tha ai.
Ministri grek, i cili javën e kaluar vizitoi Belerin në burg, la të kuptohet se mungesa e progresit në këtë çështje mund të ketë pasoja në aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
“Është e qartë se Greqia mbështet vazhdimisht dhe në mënyrë të palëkundur perspektivën e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor,” tha Papastavrou, duke vënë në dukje se kryeministri Kyriakos Mitsotakis përsëriti mbështetjen e Athinës në Samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në Tiranë muajin e kaluar.
“Ne të gjithë përfitojmë nga perspektiva evropiane [e Shqipërisë], veçanërisht pakica kombëtare greke. Megjithatë, kjo rrugë integruese ka disa kushte dhe kritere”, tha ai.
Top Channel