Shqipëria mbetet një destinacion turistik mjaft tërheqës dhe në këtë stinë, veçanërisht për turistët nga vendet e ftohta të Evropës.

Mes tyre janë dhe polakët që gjithnjë e më shumë preferojnë të arratisen për ca ditë pushimesh në Durrës dhe të shijojnë ecjet buzë detit edhe në këtë fund nëntori, ndërsa në vendin e tyre temperaturat kanë rënë dhe dimri është ulur këmbëkryq.

 “Do të donim të jetonim këtu, por jo kemi ardhur thjesht me pushime, për 10 ditë. E kemi zili këtë qytet, klimën dhe shqiptarët. Janë vërtet të këndshëm dhe mikpritës. Zgjodhëm këtë stinë, pasi ne jemi nga Polonia dhe është dimër i vërtetë në vendin tonë. Donim t’i gëzoheshim pamjes së detit dhe në krahasim me vendin tonë moti këtu është vërtet i mirë”, tha turistja.

 “Jemi me pushime këtu. Është vend i këndshëm dhe po lëvizim nga qyteti në qytet. Ishim në Gjirokastër, në Lin, Tiranë. Po lëvizim. Durrësi na pëlqen sepse deti është afër qytetit. Ka një shëtitore të këndshme buzë detit. Një qytet i bukur”, tha turisti.

 “Ishte një vendim spontan për të ardhur këtu. Ishim të lodhur nga puna dhe dimri dhe vendosëm të shkojmë diku. Hera e parë që vijmë në Shqipëri. Na pëlqeu. Më pëlqeu veçanërisht liqeni i Ohrit”, tha turistja.

Në krahasim me shumë vende të ftohta dhe pjesën më të madhe të kontinentit tonë, bregdeti shqiptar ka një klimë relativisht të butë që së bashku me ofertat turistike, çmimet më të ulëta dhe qetësinë që ofron, po tërheq gjithnjë e më shumë turistët nga këto vende, edhe gjatë stinës së ftohtë.

Top Channel