Ditën avokate, natën këngëtare.
Kështu e përcakton Mariel Colón Miró rutinën e saj të re, juristja e re që numëron mes klientëve të saj trafikantin e fuqishëm meksikan të drogës Joaquín “El Chapo” Guzmán dhe që ka vendosur të bëjë emër edhe jashtë gjykatave.
31-vjeçarja portorikane, e cila ka vepruar edhe në mbrojtje të manjatit të akuzuar për trafik seksual të të miturve Jeffrey Epstein, po përpiqet të hapë rrugën e saj në tregun e ngushtë të muzikës tradicionale meksikane me pseudonimin “La Abogada”.
Edhe pse për shumë këto dy profesione duken pa lidhje me njëra-tjetrën, për të gjykatat dhe skena janë të ngjashme.
“Ju keni një audiencë që është gjyqtari dhe juria, dhe ju duhet t’i bindni ata për një histori. Një tjetër pikë e përbashkët: Të dyja janë botë të udhëhequra nga njerëzit”, u shpreh ajo.
Për Colón Mirón, karizmatike dhe e qeshur, industria e argëtimit dhe Meksika ishin dy pasionet e saj të mëdha që kur ishte e vogël, por fiksimi i prindërve të saj “për stabilitet ekonomik” e shtyu atë në shkollën juridike në Nju Jork.
Ajo u magjeps me ligjin penal ndërsa studionte ende në Universitetin Hofstra në “Mollën e Madhe”.
“E kuptova se ishte vërtet një performancë gjithashtu”, thotë ajo. Dhe në atë që duket si një kthesë e fatit, rasti i saj i parë ishte ai i “El Chapo”.
Top Channel