Serbët e Kosovës do të udhëtojnë për në Serbi për të votuar në zgjedhjet e 17 dhjetorit. 

Kjo pasi Qeveria e Kosovës refuzoi kërkesën e shtetit serb që e kishte bërë përmes misionit të OSBE-së në Kosovë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të Serbisë.

Sipas njohësve të çështjeve politike, ky vendim i ekzekutivit të Kosovës është i duhuri.

“Për aq kohë sa Serbia e ndjek këtë qasje ndaj Kosovës të dëshmuar së fundmi para dy muajsh në Banjskë tregon se Serbia nuk është e interesuar as për serbët e as për zgjidhje, por është e interesuar të destabilizojë rajonin. Prandaj për aq kohë sa ka një qasje të tillë Serbia nuk njeh gjuhë tjetër përveç kësaj”, thotë analisti Dorajet Imeri.

Megjithatë kërkohet nga qeveria të gjejnë zgjidhje që serbëve te Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë tu mundësohet votimi.

“Kosova duhet të bëjë aq sa është e mundur që të gjithë qytetarët e saj të ndihen të barabartë dhe të gjejë mekanizma institucional që kjo të arrihet sa më parë”, shprehet Imeri.

Qeveria e Kosovës, përmes OSBE-së ka kërkuar nga Serbia t’i lejojë serbët të votojnë si diasporë në Zyrën Ndërlidhëse me Serbinë në Kosovë.

Një gjë e tillë është refuzuar nga ana e ekzekutivit serb, të cilët kanë njoftuar se serbët e Kosovë do të votojnë në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin, pasi sipas Petar Petkoviç nuk ka kushte për të mbajtur zgjedhje pas kushtëzimit të Albin Kurtit me njohje të Kosovës nga ana e Serbisë.

Nga praktikat e mëhershme, Serbia ka organizuar zgjedhjet e saj edhe në Kosovë përmes OSBE-së, megjithatë kjo praktikë u ndal në vitin 2021.

Top Channel