Nga IRIDA VASIA – A nuk është tamam kështu?
Gati 7 javë nga sulmi më i madh, më i mirë organizuar e më brutali që Hamasi kishte ndërmarrë ndonjëherë kundër Izraelit, ajo që shohim janë viktimat e tij: 1.200 në krahun izraelit, mbi 14.500 mes palestinëzeve në Gaza, vazhda e shkatërrimeve me gati 45% të godinave e strukturave të tjera në territor të rrafshuara me tokën, eksodi “biblik” i 1.7 milionë banorëve të enklavës të zhvendosur nga 2.3 milionë që ajo numëron gjithsej.
Shohim urrejtjen të vlojë në dejet e fëmijëve në shtetin hebre që këndojnë: “brenda një viti do t`i zhdukim të gjithë” dhe trupat e shkrumbuar të vogëlushëve hebrenj, disa të djegur të gjallë brenda shtëpive të tyre gjatë sulmit gjakësor të 7 tetorit, prej militantësh me arsyen e verbuar deri në pikën sa të mos mëshironin as krijesat më të pafajshme në botë. Ai që nuk shohim sakaq, është qëllimi i kësaj goditjeje në një tablo më të gjerë.
Arsyetimet ende nuk po shkojnë dot deri aty sa zbërthejnë synimin real të rindezjes së rrethit vicioz të dhunës, të fjetur prej disa kohësh deri në pikën sa të krijonte iluzionin e një paqeje relative. Nëse ishte marrëveshja që po afronte mes shtetit hebre dhe Arabisë Saudite, të cilën as Hamasi e as sponsorizuesi i tij i madh, Irani nuk e gëlltisnin dot ashtu sikurse ndoshta edhe perspektivën më të gjerë të paqtimit rajonal me Tel Avivin, ajo mbase u frenua, por vetëm përkohësisht. Sepse nëse i qëndrojmë komenteve të prestigjiozes The Time, pavarësisht sinjaleve mikse që dërgojnë sauditët kur vjen fjala për avancimin e nismës së ndërmjetësuar nga administrata Biden, shanset për një ujdi të tillë nuk janë shuar krejtësisht. Madje, në mënyrë paradoksale siç thotë ajo, tërbimi vrastar i grupit militant mund të prodhojë efektin e kundërt, e madje ta përshpejtojë arritjen e një paqeje rajonale.
Por kjo, sipas Izraelit, do të ndodhë vetëm kur të zhduket Hamasi, çka është sot prioriteti numër një i tij. Tel Avivi e ka përqendruar tani të gjithë energjinë e vet të luftës tek organizata të cilën së bashku me SHBA-në e BE-në e konsideron terroriste.
Fakti mbetet sidoqoftë se i njohur apo jo ndërkombëtarisht, ky grupim i shumë anatemuar prej Izraelit e Perëndimit është ai që ka qeverisur Gazën për 18 vjet. Dhe ndryshe nga partia e vet rivale, Fatahu, që dominon Organizatën për Çlirimin e Palestinës që sundon në Bregun Perëndimor, i cili ka hequr zyrtarisht dorë nga dhuna, Hamasi këtë nuk e ka bërë kurrë. Përkundrazi, e ka përcaktuar hapur dhe qartë linjën e vet “kundër Izraelit deri në fund”, e cila është pjesë e doktrinës së themelimit të grupit, dhe që dashur pa dashur, i jep Izraelit të drejtën ta shpalosë publikisht argumentin e tij se për atë çfarë përfaqëson që në gjenezë, ky grup është pengesë e patjetërsueshme në rrugën drejt paqes.
Hamasi u krijua si krahu politik i Vëllazërisë Myslimane në Gaza dhjetorin e 1987, pas shpërthimit të intifadës së parë kundër pushtimit izraelit të Bregut Perëndimor, Gazës dhe Jerusalemit Lindor. Qëllimi i tij asokohe ishte t`i kundërvihej influencës së Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ), një tjetër grup i dhunshëm e i angazhuar për rezistencë ndaj shtetit hebre, i cili kërcënoi t`ia largonte Vëllazërisë mbështetjen e palestinezëve. Në vitin 1988, Hamasi publikoi statutin e tij, ku bëhej thirrje për shkatërrimin e Izraelit dhe krijimin e një shoqërie islame në Palestinën historike. Ndryshe nga Fatahu, të cilin e zboi nga Gaza gati dy dekada e me të cilin ndryshon rrënjësisht në ideologji e praktikë më parë, ai ia ka mbyllur derën diplomacisë, nuk pranon zgjidhjen me dy shtete të konfliktit të zgjatur dhe konsideron se paqja do të vijë përmes dhunës.
Në këtë prizëm, ekuacioni duket i thjeshtë: Hamasi jashtë, paqja fiton. Apo nuk është tamam kështu?
Sipas gazetës izraelite Haaretz, tre të katërta e palestinezëve e mbështetën sulmin e 7 tetorit.
Përse? Këtë shpjegim, ajo thotë se nuk di ta japë as vetë.
Është vështirë ta kuptosh tani opinion publik palestinez. Por grafia e një urrejtjeje dhjetëra vjeçare nuk është megjithatë aq e vështirë të lexohet.
Hebrenjtë izraelitë e arabët palestinezë duan të njëjtën tokë, e është parë tashmë, se kompromisi nuk arrihet lehtë. Palestinezët nuk e harrojnë Nakban, apo Katastrofën e Madhe- shpërnguljen me dhunë të qindra mijëra vetëve në vazhdën e krijimit të shtetit të Izraelit në 1948-tën dhe “shkatërrimit të shoqërisë së tyre, kulturës, identitetit, të drejtave politike dhe aspiratave kombëtare”.
Por nuk është vetëm kjo.
Tërheqja e Izraelit nga Rripi i Gazës në 2005-ën u bë në mënyrë të njëanshme, dhe Hamasi i forcoi pozitat në mesin e palestinezëve mes pretendimeve se ishin metodat e tij që e dëbuan Izraelin. Gaza është nën bllokadën izraelite që kur Hamasi mori plotësisht kontrollin e saj në 2007-tën, dhe situatën atje një grup i të drejtave të njeriut e ka përshkruar si praktikisht “një burg të hapur”.
Më shumë se 80% e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, sipas OKB-së dhe tremujorin e dytë të këtij viti, papunësia në territor llogaritej në nivelin 46.4%, një ndër më të lartat në botë. Urrejtja e mbarsur e ngjarjeve të së shkuarës, shkrihet kështu tek palestinezët e sotëm të Gazës edhe me dëshpërimin e së tashmes.
A do të mjaftojë shkatërrimi i Hamasit për të rikthyer më në fund në shina procesin e ngecur të paqes në rajon?
Për Izraelin mbase po, ose të paktën këtë pretendon. Për palestinezët do të duhet pak më shumë se kaq: do të duhet një shpresë reale për një të ardhme më të mirë! Vetëm 24% e atyre që jetojnë në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor besojnë tashmë se ndarja e tokës mes lumit Jordan dhe Mesdheut për të krijuar dy shtete të pavarura e sovrane izraelite dhe palestineze që ekzistojnë krah për krah njëri-tjetrit, mund të arrihet vërtet. Qeveria izraelite e ekstremit të djathtë nuk e përqafon idenë e një shteti të pavarur palestinez dhe udhëheqësi i saj, Benjamin Netanyahu, e ka bllokuar këtë çështje për shumë vite. E sa më shumë palestinezët i dorëzohen dëshpërimit, aq më e largët duket paqja, sidomos në këto momente, kur edhe sikur lufta të mbyllej shumë shpejt, ajo do të linte pas dy shoqëri thellësisht të traumatizuara, mendjen e të cilave zor se do ta përshkonte ideja e një paqtimi të shpejtë.
*Gazetare e lajmeve ndërkombëtare me një karrierë të gjatë në Top Channel
Top Channel