25 nëntori shënon Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Gruas.
Ky fenomen mbetet një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut në botë, por edhe në Shqipëri ku raportohen çdo javë raste të dhunës ndaj grave dhe vajzave. Përgjatë vitit, 611 persona u arrestuan për dhunë në familje. Nga vitit 2010 raportohet se u vranë 159 gra.
Që prej vitit 2006 kur hyri në fuqi ligji i parandalimit të dhunës në familje në të gjitha format e saj, 33 mijë e 628 gra janë pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Policia vlerëson zyrtarisht se në masën 80 përqind të kësaj shifre të dhunuarat janë keqtrajtuar nga një burrë si bashkëshorte, ish partnere apo bashkëjetuese.
Shifrat janë alarmante, ndërsa të gjithë jemi dëshmitarë se ka edhe raste kur gratë dhe vajzat nuk e raportojnë dhunën nga turpi dhe frika, madje një përqindje e konsiderueshme thonë se dhuna është çështje private që duhet të mbetet brenda mureve të shtëpisë.
Në nivel global, vlerësohet se rreth 736 milionë gra, pothuajse një në tre, i janë nënshtruar dhunës fizike dhe/ose seksuale nga partneri, dhunës seksuale nga jopartneri, ose të dyja, të paktën një herë në jetën e tyre.
Kjo plagë është intensifikuar në mjedise të ndryshme, duke përfshirë vendin e punës dhe hapësirat në internet, dhe është përkeqësuar nga efektet post-pandemike, konfliktet dhe ndryshimet klimatike. Zgjidhja qëndron në reagimin e menjëhershëm. Megjithatë, në mënyrë alarmante, të dhënat se sa shumë kombet po angazhohen për të luftuar dhunën ndaj grave dhe vajzave mbeten jashtëzakonisht të pakta.
Kemi nevojë për më shumë investime në organizatat e grave, legjislacion më të mirë, ndjekje penale të autorëve, më shumë shërbime për të mbijetuarat dhe trajnim për zyrtarët e zbatimit të ligjit. Dhuna ndaj grave vazhdon të jetë pengesë për arritjen e barazisë, zhvillimit, paqes si dhe për përmbushjen e të drejtave njerëzore të grave dhe vajzave.
Top Channel