Kërkesa e SPAK për përjashtimin e gjyqtares Iliriana Olldashi në gjykimin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, është rrëzuar.
Gjyqtarja Miliana Muça rrëzoi kërkesën për përjashtimin e gjyqtares nga shqyrtimi i kërkesës për sekuestron e pasurive të Jamarbër Malltezit, raporton gazetarja Anila Hoxha.
Muça rrëzoi edhe kërkesën tjetër të SPAK, që kërkonte përjashtimin e Olldashit në seancën për Berishën dhe Malltezin, që zhvillohen më vete.
SPAK kërkoi dorëheqjen e gjyqtares, me argumentin se ka konflikt interesi. Sipas SPAK, gjyqtarja ka blerë shtëpi në kompaninë e cila ndërtoi në kompleksin “Partizani”, për të cilën akuzohet Berisha dhe Malltezi.
Megjithatë, pas rrëzimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion, Olldashi do të vazhdojë të jetë pjesë e trupës gjykuese në seancat për ish-kryeministrin dhe dhëndrin e tij.
Më herët këtë të premte, trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, urdhëroi shtyrjen e seancës gjyqësore për dy të akuzuarit. Seanca për Berishën u shty për në orën 14:00, ndërsa një orë më pas, në 15:00, u caktua seanca për Malltezin.
Top Channel