Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata në Elbasan ka sekuestruar sot pronat e një 28 vjeçari në Elbasan i cili rezulton të jetë i dënuar me burg në Britaninë e Madhe për “shtëpi bari”.
Pronat që i janë sekuestruar 28-vjeçarit Leonard Coga, 2 garazhe dhe një apartament llogaritet të kapin vlerën prej 200 mijë eurosh. Sipas provave të prokurorisë, pasuritë e këtij shtetasi dyshohet të jenë vendosur mbi burime kriminale.
Madje në këtë veprimtari kriminale janë përfshirë edhe të afërm të tij, të cilët kanë investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme me para që dyshohet se vijnë nga veprimtaria e paligjshme e 28 vjeçarit.
“Pasuritë e konstatuara janë dukshëm të pajustifikuara nga të ardhurat e ligjshme të personave të lidhur të personin e vënë nën hetim”, thuhet në një njoftim të prokurorisë.
Leonard Coga rezulton të jetë dënuar me 10 muaj burg në Britaninë e Madhe pasi është kapur duke ruajtur bimët e kanabisit në një shtëpi bari atje, me vlerë 160 mijë paund.
Gjatë operacionit për kapjen e Cogës në shtëpinë e barit u gjetën edhe çanta të mëdha me në total 29.5 kilogramë kanabis që nëse do të shiteshin nga aktiviteti kriminal përfitoheshin 147,000 paund, si dhe paund kesh të fshehura nën dërrasat e dyshemesë.
Top Channel