Pauza e shumëpritur katër ditore në luftimet midis Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në fuqi, por të dyja palët janë kujdesur ta bëjnë të qartë se ajo është e përkohshme.

Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Katari, 13 pengje izraelite do të lirohen më vonë sot gjatë ditës, ndërsa në total, brenda 4 ditëve të armëpushimit, do të lihen të lirë 50 pengje izraelitë. Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu tha në një njoftim, se ka marrë “një listë të parë” me emrat e pengjeve dhe se qëndron në kontakt me familjet e të gjithë pengjeve. Izraeli, nga ana e tij, si pjesë e ujdisë do të lirojë 150 të burgosur palestinezë.

Vetëm pak përpara se pushimzjarri të hynte në fuqi, të shtëna me armë zjarri e mortaja u dëgjuan në Gaza, të pasuara nga një sulm ajror. Por me të heshtur armët, e para herë kjo në gati 7 javë, efektet e marrëveshjes nisën të ndihen. Disa kamionë me transportonin furnizime mjekësore, karburant dhe ushqim kanë hyrë në Gaza nga Egjipti, thotë BBC.

Programi Botëror i Ushqimit tha se ka gati më shumë se 100 kamionë me ushqime, ndërsa Egjipti njoftoi se 130,000 litra karburant dhe 4 kamionë me bombola gazi do të dërgohen në territor në secilën prej këtyre katër ditëve. Gjithsej do të dërgohen përditë 200 kamionë në ditë në zonën palestineze, bënë të ditur autoritetet egjiptiane. Është një fillim i mirë, por jo i mjaftueshëm sipas Laila Barhoum nga organizata Oxfam që kujton se thuajse e gjitha popullata mbi 2 milionë banorësh e Gazës varet nga ndihmat, dhe kaq sa po përgatitet të dërgohet atje, nuk i përmbush dot nevojat e ngutshme të banorëve të terrorizuar.

Katari thotë se qëllimi i tij është që nga ndalimi i luftimeve të kalohet në një ndalim të përhershëm të shkëmbimit të zjarrit. Por kjo duket e vështirë. Sipas të dhënave të ushtrisë izraelite, kontrolli mbi pjesën veriore të Rripit të Gazës është “vetëm etapa e parë” në rrugën e shkatërrimit të organizatës terroriste të Hamasit.

Hamasi kategorizohet nga Izraeli, Gjermania, SHBA, BE dhe disa vende arabe si organizatë terroriste. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari foli në konferencën e shtypit për “luftë të gjatë”. Në ditët e ardhshme, shtoi ai, do të përqendrohemi në planifikimin dhe zbatimin e etapave të tjera të luftës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA