Dy fëmijë të moshës 5 vjeç janë paraqitur në QSUT për ndihmë mjekësore.
Dyshohet se të dy janë rrëzuar aksidentalisht në kopshtet që ata frekuentojnë, njëri në rrugën Androniqi Antoniu Zengo” dhe tjetri në rrugën “Irfan Tomini”.
Materialet për këto dy raste i kanë kaluar Prokurorisë, për vlerësim.
Jo më larg se mbrëmjen e djeshme, në emisionin “Fiks Fare” u publikua rasti i një fëmije 3 vjeç, i cili është çarë në kokë në një kopsht shtetëror “Bota e Luleve” në Kamëz.
Edukatorja është shprehur se fëmija e ka çarë kokën në mur duke luajtur, por prindërit nuk e besojnë këtë version dhe kërkuan kamerat e institucionit, por pikërisht atë ditë nuk kanë regjistruar. Për ngjarjen, përveç prindërve, asnjë institucion tjetër nuk është vënë në dijeni.
E ëma e 3-vjeçarit fajëson edukatoren për ngjarjen. “Fëmijën e gjeta të gjakosur në kokë dhe të lagur të gjithin, kur pyeta edukatoren çfarë ndodhi ajo më tha mos më fajëso se do lajmërojë policinë”, u shpreh nëna.
Ndërkohë, sapo është njoftuar më telefon nga kopshti, e ëma është paraqitur menjëherë dhe e ka marrë të voglin e ka çuar për mjekim në poliklinikën e Kamzës. Sipas mjekëve, fëmija kishte nevojë edhe për qepje në kokë, por nuk i është bërë për mos t’i shkaktuar traumë.
E ëma e 3-vjeçarit, Lindita thotë se ka shkuar e ka kërkuar të hapen kamerat, por i është thënë që kamerat atë ditë nuk kanë punuar, ndaj nuk kanë fakte.
Ajo thotë se djali nga ai moment trembet natën, është agresiv dhe nuk do të shkojë në kopsht. Në këto kushte, prindërit i kanë ndryshuar grupin.
Fiksi solli dëshmitë e drejtoreshës së kopshtit, Adelina Keçit dhe edukatores Brishida Rama, të cilat thonë se fëmija u dëmtua nga tërheqja e një lodre nga duart e shokut, dhe me kokë u godit në mur. Drejtoresha tregon se ka lajmëruar prindërit, por nuk ka lajmëruar institucione të tjera edhe pse e ka detyrim ligjor.
Top Channel