“Dënojmë çdo veprim fyes dhe intimidues ndaj figurës së Prokurorëve”/ KLP: Askush të mos cenojë punën e SPAK

24/11/2023 11:54

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dënuar veprimet fyese dhe intimiduese ndaj figurës së prokurorëve, duke bërë thirrje që askush të mos cenojë punën profesionale të SPAK.

Përmes një deklarate publike, KLP inkurajoi prokurorët të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë funksionin e tyre, duke theksuar se rezultatet e punës së Prokurorisë së Posaçme janë vlerësiar pozitivisht nga të gjithë aktorët.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni i ngarkuar nga Kushtetuta me detyrën për të garantuar pavarësinë, llogaridhënien dhe statusin e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.

Këshilli Lartë i Prokurorisë ka detyrimin ligjor sipas nenit 185 te ligjit 115/2016 të mbajë qëndrim publik… “në mbrojtje të prokurorëve të veçantë kur gjykon se të drejtat e tyre  njerëzore  rrezikohen të shkelen për shkak të kryerjes së detyrës ose se kryerja e funksioneve të tyre ligjore  po rrezikohet ose mund të rrezikohet si rezultat i veprimeve ose qëndrimeve të çdo subjekti publik ose privat”.

Në ushtrim të kësaj detyre, Këshilli ndjek me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe në veçanti të prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me veprimet procedurale të ndërmarra nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme  pranë (SPAK).

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta.

Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të prokurorëve të sipër përmendur dhe të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përfiton nga rasti të shprehë konsideratën e lartë për prokurorët e Prokurorisë së Posaçme për misionin që kanë marrë angazhim të kryejnë, por edhe si personalitete me integritet të lartë. Rezultatet e punës së kësaj strukture, aktualisht janë vlerësuar pozitivisht nga të gjithë aktorët në vend, duke bërë të mundur rritjen e besimit të publikut tek drejtësia, pritshmëri kjo e reformës në drejtësi e ndërmarrë dhe miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në dakordësi të plotë.

Së fundmi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë iu bën thirrje të gjithë prokurorëve të Republikës të vijojnë punën me përgjegjshmëri të lartë në zbatim të kompetencave të tyre kushtetuese për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në shërbim të shoqërisë”- thuhet në deklaratën e KLP-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA