Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi masën ‘detyrim paraqitje’ për Jonida Babameton.

GJKKO gjithashtu vendosi që Babameto mos të largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës dhe përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjera identifikues të vlefshme jashtë vendit.

Babameto duhet të paraqitet në policinë gjyqësore pranë prokurorisë, të enjten e fundit të çdo muaji, ora 13.00.

Jonida Babameto akuzohet se u përcolli të dhëna nga sistemi në kohën që ishte specialiste e zyrës së Interpol Tiranës, personave që ishin pjesë e trafikut të narkotikëve.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

Zbërthimet e komunikimeve në “Sky lidhën 11 persona mes policisë, krimit dhe ish-zyrtarëve të lartë në trafik droge, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal.

Por asnjë prej pjesëtarëve nuk ishte një emër i panjohur.  Figura qendrore është Ervin Mata, i cili në komunikime del se në këtë aktivitet i është bashkuar edhe i kunati Eraldi Breçanit, djali i ish-zëvendësdrejtorit të Policisë Tiranë. Të dy nuk mundën dot të arrestohen ndërkohë që Erzen Breçani ra në pranga me akuzën e përkrahjes së autorit të krimit dhe pastrimit të parave.

GJKKO një ditë më parë la në burg Erzen Breçanin dhe tre nga të arrestuarit, Dedan Gjonin, Bujar Ajeti e Besmir Muratin. Në kërkim janë: Ervin Mata, Eralbi Breçani, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova, Ismail Zeneli.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 24.11.2023 i është drejtuar Gjykatës me kërkesën me objekt: Caktimin ndaj personit nën hetim J.B. të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale. Lidhur më shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjykata vendosi ta shqyrtoi në dhomë këshillimi pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqësore. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, bazuar në nenet 228, 229, 230, 238, 248, 379 dhe 384 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 130, datë 24.11.2023, ndër të tjera vendosi: Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 233 dhe 234 i K.Pr.Penale të dhënë ndaj personit nën hetim J.B. me vendimin Nr.124, datë 17.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vazhdimin e zbatimit të këtyre masave.

Urdhërohet personi nën hetim J.B. të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës. Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjerë identifikues të vlefshme për daljen jashtë shtetit për personi nën hetim J. B. Urdhërohet personi nën hetim J.B. të paraqitet në policinë gjyqësore pranë prokurorisë, të enjten e fundit të çdo muaji, ora 13.00. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia Gjyqësore për ndjekjen edhe zbatimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA