Pavlos Marinakis, zëdhënësi i ministrit grek Stavros Papastavrou, deklaroi se duhet gjetur një zgjidhje për të rivendosur normalitetin demokratik në Himarë.
“Duhet gjetur një zgjidhje e drejtë, në kuadrin e së drejtës evropiane, të shtetit ligjor dhe të parimit të fqinjësisë së mirë”, tha ai, duke iu referuar deklaratës së ministrit grek pas vizitës në burgun e Durrësit ku u takua me Fredi Belerin, se Himara është e vetmja bashki në Evropë që drejtohet nga kandidati që humbi zgjedhjet ndërsa fituesit po i mohohet e drejta e betimit.
Në konferencën për shtyp të ditës së enjte Marinakis është pyetur nga gazetarët pas këtyre deklaratave nëse qeveria greke kërkon vetë betimin e Belerit, duke ndryshuar qëndrim për çështjen e lirimit të tij.
“Në asnjë rast nuk kemi ndryshuar qëndrim dhe në fakt ky pozicionim është shprehur vazhdimisht në të gjitha nivelet. Kërkojmë që të respektohet prezumimi i pafajësisë së të akuzuarit dhe ai të bëjë betimin. Natyrisht, kjo nuk është kërkesa jonë e vetme. Por, mendoj se kontradikta më e madhe për momentin, dhe është një rast unik në të gjithë Evropën, është se ai që është zgjedhur, nuk është në detyrë, nuk është betuar si kryetar bashkie, ndërsa ai që nuk është votuar, është në detyrë. Kjo është ajo që thashë. Megjithatë, nuk do të thotë se ka ndryshuar qëndrimi ynë (për lirimin), do të ishte turp nëse do të ndryshonte pozicioni ynë sadopak“, tha ai.
Prej muajit maj kur është arrestuar, Fredi Belerin e kanë vizituar dy ministra grekë, ai i Shtetit, Stavros Papastavrou , i Mbrojtjes së qytetarit Giannis Oikonomou, Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Jashtme të Greqisë Theoharis Lalakos si edhe deputeti i Demokracisë së Re, Agjelos Syrigos.
Top Channel