Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviç, tha se Kroacia ka reaguar “sipas parimit të reciprocitetit dhe në mënyrë të duhur”, duke shtuar se nuk ka pasur shpjegim zyrtar për dëbimin e sekretarit të Parë të Ambasadës kroate në Serbi, Hrvoje Shnajder.
Gjatë një mbledhjeje të qeverisë, ai foli për aktualitetin politik, duke thënë se qeveria kroate ka reaguar menjëherë dhe ka shpallur ‘persona non grata’ (person të padëshiruar) një diplomat, njoftoi HRT.
“Pavarësisht atmosferës parazgjedhore në Serbi, ne besojmë se lëvizje të tilla nuk kontribuojnë në ndërtimin e besimit apo bashkëpunimit mes dy shteteve dhe prandaj ne reaguam ndaj veprimit të ndërmarrë nga Serbia”, tha Pllenkoviç.
Të martën, Ministria për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, e shpalli Petar Novakoviçin, këshilltar në Ambasadën serbe në Beograd, person të padëshiruar. Ky vendim u mor si masë reciproke ndaj vendimit të Serbisë.
Ministria për Punë të Jashtme e Serbisë njoftoi të hënën se ka dëbuar një diplomat kroat për shkak se “i ka tejkaluar kufijtë e normave diplomatike”./ REL
Top Channel