Konflikti në Lindjen e Mesme, mes Izraelit dhe grupit terrorist të Hamas nuk do të ndalet.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha se operacioni ushtarak do të rinisë menjëherë pas përfundimit të armëpushimit. Luftimet sipas tij, do të zgjasin rreth dy muaj të tjerë.
“Kjo do të jetë një pauzë e shkurtër. Kur të përfundojë, luftimet do të vazhdojnë me forcë dhe do të krijojnë presion që do të lejojë kthimin e më shumë pengjeve. Pritet një luftim edhe për të paktën dy muaj të tjerë”, tha Gallant ndërsa vizitoi trupat izraelite të enjten, raporton CNN.
Deklaratat erdhën pak orë para nisjes së marrëveshjes së armëpushimit katër ditor dhe shkëmbimit të pengjeve mes shteti hebre dhe grupit militant islamik. Deri më tani, asnjëra prej palëve nuk ka paraqitur një listë me emrat e atyre që pritet të lirohen.
Qadura Fares, kreu i Komisionit Palestinez për Çështjet e të Burgosurve dhe ish të Burgosurve, tregoi për CNN se priste që rreth 30 deri në 35 persona të lirohen gjatë ditës së sotme. Ndërkohë pjesa tjetër do të lihen të lirë gjatë ditëve të ardhshme. Në listën e pengjeve, sipas CNN, janë rreth 33 gra.
Ndërkohë, Presidenti i SHBA, Joe Biden njoftoi se një vajzë 3-vjeçare amerikane që është marrë peng nga Hamasi do të lirohet gjithashtu, por pa dhënë shumë detaje. Në fazën e parë të armëpushimit, Hamasi do të lirojë 50 pengje nga Gaza dhe Izraeli do të lërë të lirë 150 të burgosur palestinezë.
Top Channel