Nga Shkupi, ku janë mbledhur aleatët rajonalë të NATO-s, kreu i aleancës Jens Stoltenberg përshëndeti marrëveshjen e arritur mes Izraelit dhe Hamasit për të liruar të paktën 50 pengje, e për t`i ofruar banorëve të Gazës një armëpushim katër-ditor.
Marrëveshja, për të cilën Stoltenberg tha se do të mundësojë vërshimin e ndihmave humanitare, vjen pas javësh luftimesh intensive në Rripin e Gazës, me Izraelin që iu përgjigj me dorë të hekurt sulmit vdekjeprurës të Hamasit në 7 tetor i cili mori 1200 jetë njerëzish, e rrëmbeu 240 të tjerë. Në Gaza, ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se nga ofensiva izraelite kanë humbur jetën deri tani 14 mijë vetë, mes tyre edhe shumë gra e fëmijë.
“E përshëndes arritjen e një marrëveshjeje mes Hamasit dhe Izraelit, e cila duhet të çojë drejt lirimit të pengjeve nga njëra anë dhe ndalimin e luftimeve, e do të mundësojë nga ana tjetër shpërndarjen e ndihmave humanitare”, tha Stoltenberg.
Takimi joformal i liderëve të shteteve anëtare të aleancës ushtarake nga Ballkani me kreun e saj, fokusohet tek siguria e rajonit, por edhe ajo globale. Në këtë kontekst, nuk mund të mbetej jashtë vëmendjes së tij edhe konflikti mes Izraelit e Hamasit, që ushqeu për shumë kohë frikën e një shtrirjeje të mundshme të tij.
Stoltenberg pohoi më herët në Shkup se aleanca veri-atlantike do të bëjë gjithçka për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të gjendjes së sigurisë, apo kërcënim ushtarak ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-së, apo edhe të vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërsa përsëriti mesazhin e aleancës për Rusinë se “duhet të përmbahet nga veprimet agresive ndaj fqinjëve dhe gjithsesi t’i japë fund agresionin ndaj Ukrainës”.
Top Channel