Regjistrimi i popullsisë në Kosovë shtyhet deri në pranverë

22/11/2023 13:10

Qeveria e Kosovës ka shtyrë përsëri edhe për disa muaj procesin e regjistrimit të popullsisë, që tani parashihet të fillojë në prillin e vitit të ardhshëm.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh në mbledhjen e Qeverisë se procesi i regjistrimit “nuk është menaxhuar mirë” nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Kreu i ekzekutivit përmendi edhe udhëheqjen e re të ASK-së si faktor që e ka shtyrë të propozojë shtyrjen e sërishme të procesit të regjistrimit të popullsisë. Sipas vendimit të ri qeveritar, procesi do të zhvillohet nga 5 prilli deri më 17 maj të vitit 2024.

Më 23 gusht, Qeveria kishte vendosur ta shtynte për dy muaj procesin e regjistrimit të popullsisë, dhe kishte paraparë që ai të niste më 1 nëntor.

Duke e arsyetuar vendimin gjatë një takimi të Qeverisë, kryeministri Kurti tha se një sërë vonesash në proces e kishin bërë të pamundur nisjen e regjistrimit të popullsisë më 1 shtator. Sipas tij, procesi ishte shtyrë shkaku i rezistencës nga Komisioni Qendror i Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë Covid 19. Sipas regjistrimit të bërë më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1.8 milion.

Top Channel