Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para kabinetit qeveritar tha se në 2/3 e mandatit katërvjeçar kanë arritur suksese në shumë sektorë, ndërsa iu drejtua ministrave se koha për të përmbushur zotimet po pakësohet.

Ai përmendi rritjen ekonomike, mbështetjen ndaj qytetarëve dhe bizneseve dhe shtoi se kanë shtrirë sovranitetin edhe në veri.

“Nesër bëhen plot 32 muaj prej ditës së parë të qeverisjes sonë apo 2/3 e mandatit katërvjeçar. Janë data si këto që na shërbejnë si moment reflektimi mbi atë se çfarë kemi arritur si ekip. Por edhe na kujtojnë se koha për të përmbushur zotimet tona dhe për të respektuar pritjet e qytetarëve tanë brenda mandatit të parë sa vjen e pakohet… Rritjen ekonomike dhe të hyrave tatimore e rishpërndamë te qytetarët, veçanërisht në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, por jo vetëm. Mbështetëm subvencionimin e tarifave të energjisë elektrike, të faturave të energjisë elektrike, të pajisjeve për efiçiencë të energjisë. Mbështetëm studentët, familjet në nevojë, pensionistët, e zyrtarët publikë. Mbështetëm punësimin e të rinjve përmes platformës ‘SuperPuna’, të grave, personave me aftësi të kufizuara dhe të anëtarëve të familjeve pa asnjë të punësuar”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se deri dje ishin mbi 2100 konvertime të targave ilegale në RKS.

“E teksa po hapim rrugë të reja që rrisin lëvizjen dhe nxisin shkëmbimet, kemi mbyllur shumë rrugë ilegale që shfrytëzoheshin për kontrabandë, trafikim e kalim të paligjshëm të kufirit. Gjithsej 34 sosh, prej tyre 26 vetëm në veri të vendit. Atje nga Policia jonë u shkatërruan edhe nëntë laboratore të drogës, nga 16 gjithsej, gjithandej territorit, dhe 6 laboratore të prodhimit të kriptovalutave. Sot, në katër komunat tona në veri ka më shumë siguri dhe qetësi për qytetarët tanë. Po asfaltohen rrugë e po ndërtohen shtëpi të reja, përfshirë edhe të banorëve shqiptarë të cilëve prona u ishte dëmtuar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Bashkëqytetarët tanë serbë tani janë më të lirë të vendosin vet, sepse grupet kriminale që dikur terrorizonin banorët e atyre komunave, tani skutën e kanë diku tjetër, por nëpër Serbi. Andaj edhe kohëve të fundit po shohim një interesim të lartë të tyre për t’u pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës. Vetëm këtë muaj, deri dje janë mbi 2100 konvertime të targave të veturave në RKS, në të njëjtën kohë që interesimi për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës gjithashtu është rritur”, shtoi kryeministri.

Ai theksoi se Kosova tani e ka ushtrinë më të fortë se kurrë, duke nënvizuar edhe blerjen e dronëve Bayraktar.

“Ushtrinë e kemi më të fortë se kurrë. I kemi ndarë buxhet më shumë se dyfish krahasuar me çfarë kishte, edhe atë po e rrisim çdo vit. Ia shtuam 1852 ushtarë të rinj dhe 600 tjetër tashmë i kemi paraparë për vitin e ardhshëm. Ka armatim më shumë sepse investimet i kemi rritur për 191%, gati trefishim. Përveç çizmes në tokë, ushtria jonë tani ka edhe sy në qiell me dronët Bayraktar”, theksoi Kurti.

Në anën tjetër, Kurti tha se përmirësimi i indikatorëve të luftimit të korrupsionit dhe respektimit të ligjit, nuk është i mjaftueshëm pa sistem të mirëfilltë, të pavarur e profesional të drejtësisë. Për këtë arsye ai e kualifikoi si të domosdoshme Vetingun në drejtësi.

“Kjo bëhet e mundshme vetëm nëpërmjet Vetingut. Për këtë kemi finalizuar amendamentet Kushtetuese dhe draftin e parë të Projektligjit për Vetingun, i cili po vazhdon të jetë në trajtim e pa përgjigje nga Gjykata Kushtetuese tash e nëntë muaj. Vendi ynë nuk ka nevojë vetëm për drejtësi tash e tutje. Ka po aq nevojë edhe për drejtësi, edhe për të kaluarën. Prandaj e kemi Institutin për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë, që për herë të parë po themelohet nëpërmjet ligjit, e që do të adresojë krimet e Serbisë në luftën e viteve 1998-1999”, përfundoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA