Grupi planifikoi gjithashtu edhe vrasjen e avokatit të Fridman Xhaferrajt. Bëhet fjalë për avokatin lushnjar Adriatik Guri.
Mendohet se përmes këtij personi, viktima Xhaferraj kishte përcjellë mesazhin kërcënues për shokët se do tregonte për të gjitha krimet.
Mes të tjerash, Laerti dyshonte se avokati po ndihmonte njerëzit e Aldo Bares, rivalit të tij të përjetshëm. Në fund, Artan Tafani ka refuzuar ta realizojë vrasjen e avokatit. Detyra ju ngarkua Lulëzim Arapit.
“Avokati jetonte në një pallat në Lushnjë ku në katin e parë ishte një lokal. Ai gjithmonë mbrëmjeve qëndronte aty deri në orën 22:00. Tikun e vëzhgoja unë prej gati një jave por e vëzhgonin edhe kamerat. Luli në celularin e tij kishte një program që kishte akses në kamerat e qytetit të Lushnjes”, rrëfeu i penduari i drejtësisë, Artan Tafani
Kjo dëshmi, zbulon se si krimi i organizuar kontrollon kamerat nëpër qytete. Akoma më keq, zbulohet dështimi o operacionit të bujshëm “Fijet”, që synonte zhdukjen e kamerave që kontrolloheshin nga krimi.
“Kanë arritur deri aty sa të instalojnë kamera dhe të kontrollojnë me celularë jo vetëm aktivitetin e forcave policore por të kontrollojnë dhe të monitorojnë viktimat. Fakti që shpesh herë një person në kërkim nuk gjendet nga policia por nga vrasësi si shpjegohet kanë ata më shumë informacion kanë ata më shumë strukturë, teknologji apo një pjesë e policisë është e inkriminuar e përfshirë. Atë informacion që duhet t’ia çojë eprorëve ia çon grupeve kriminale”, u shpreh Fatjon Softa, ekspert i sigurisë.
Ekzekutimi i avokatit u vendos që të bëhej sapo ai të dilte nga lokali. Lulzim Spahia që do të kryente vrasjen, u pozicionua përballë pallatit. Ndërsa Tafani që po e ruante u ul brenda në lokal. Sapo avokati doli, Tafani i nisi mesazh me Signal bashkëpuntorit të tij. Por, fatmirësisht një ndërhyrje kishte prishur planin e vrasjes që nuk u realizua kurrë.
Top Channel