Shqiptarët e quajnë nëntorin si muajin e tyre, me festat e datave 28 dhe 29 kur është shpallur pavarësia dhe çlirimi i vendit.
Mirëpo, historia e zyrtarizimit të shtetit shqiptar nis që më 22 nëntor të vitit 1908, ku Kongresi i Manastirit standardizoi alfabetin e gjuhës shqipe, që sot përkujtohet si dita e alfabetit.
“Një sprovë e madhe e intelektualëve të kohës që bën të mundur shkrimin e alfabetit shqip, që i hapi rrugë arsimimit, kulturës e funksionimit të institucioneve. Gjuha na identifikon si komb”– shprehet Zhyljeta Grabocka, mësuese në pension.
Veç krenarisë në datë festash, gjuhëtarët mendojnë se duhet të ketë hapa konkretë për ruajtjen, përmirësimin e pasurimin e gjuhës shqipe.
‘Shteti të jetë shembull në zbatimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Nuk flitet më për redaktorë letrarë. Shkresat dalin me gabime, gazetat me gabime. Institucioneve nuk ju falet që të neglizhojnë formimin gjuhësor e letrar të nxënësve. Shkolla ka prioritetin kryesor”.
Gjuha shqipe është në pozita të trazuara në epokën e digjitalizimit, ndaj arsimtarët këshillojnë që masat parandaluese për zhdukjen e gjuhës duhet t’i përgjigjen kohërave në të cilat ajo jeton.
“Teknologjia ka ecur shumë përpara dhe shkrimin, komunikimi duhet të përshtatet në hapësira të reja që ndoshta e ne jemi të papërgatitur për këtë situatë. Por shkrimi i shqipes është i domosdoshëm të mësohet. Tastiera duhet ti përshtatet gjuhës shqipe, me ll, me ç, me shkronjat e dyfishta”.
Veç Kongresit të Manastirit për alfabetin e më pas Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, për gjuhëtaren Zhyljeta Grabocka në demokraci ka munguar ndjekja e kësaj tradite mes intelektualve; që për më tepër në ditët e sotme është nevojë sipas saj për hartimin e një ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe.
‘Unë mbaj mend që në klasë të parë e të dytë ne fillonim diktimin. Vetë fëmijët duke u ushtruar do përmirësojnë kulturën gjuhësore. Unë jam dakord të futet gjuha shqipe në gjimnaz për tu mbrojtur me provim, edhe në shkollën e lartë . Gjuha shqipe duhet të njihet me themel”.
Top Channel