Bashkia e Tiranës do të mbështesë dhe ndihmojë në trajnimin e punonjësve të administratës së Bashkisë së Kukësit, lidhur me projektet për grante nga organizatat e huaja. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi mes dy qyteteve, në prani edhe të deputetit të PS, Pandeli Majko.
“Më vjen mirë që lidhim këtë marrëveshje mes dy qyteteve tona. Jemi mësuar ta shohim Bashkinë e Tiranës të ndihmojë me të drejtë Tuzin, Preshevën e Bujanocin, sepse kanë nevojë për mbështetje, por ndërkohë kemi edhe motrat e vëllezërit tanë brenda trojeve shqiptare. Jam i bindur se me pak ndihmë nga ne, pak ndihmë nga Shoqata e Bashkive, do të mundemi ta çojmë Kukësin aty ku e ka vendin. Ne do të japim një kontribut maksimal, jo vetëm për të trajnuar stafet, por sidomos për të parë se si aftësia jonë për të thithur fonde, sidomos nga fondet IPA, fondet e BE, fondet rajonale, të transmetohet edhe në Kukës. Shumë bashki të tjera, më të vogla, të Shqipërisë, e kanë kapur ritmin dhe kanë mësuar si aplikohet, duke shtuar buxhetet”, tha Veliaj.
Ai ftoi Bashkinë e Kukësit që të bëhet pjesë e Paradës së Shqiptare në 28 Nëntor, në 111 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. “Presim që data 28 Nëntor të jetë bashkëpunimi ynë i parë, duke pritur këtu Ansamblin e Kukësit, me kostumet e tyre tradicionale. Sa më shumë ingranohemi në aktivitete të përbashkëta dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin për t’u rritur së bashku, aq më mirë do të jetë. Nuk besoj se ka një histori suksesi që të jetë i ndarë nga realitete të tjera. Suksesi yt është edhe suksesi ynë. I yni, gjithashtu edhe i yti. Kështu që, nëse i lidhim fatet tona, do të bëjmë punë të mrekullueshëm”, shtoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për gatishmërinë e shprehur për të ndihmuar Kukësin. “Jam shumë i lumtur që, shembullin e Bashkisë së Tiranës ta sjellim edhe në Kukës, për një bashki të suksesshme, si një kryetar me inovacion të madh, që ka dhënë prova dhe kontributin për zhvillimin e bashkive dhe zhvillimin sa më shumë të kombit shqiptar, Tiranës dhe mbarë viseve shqiptare. Bashkëpunimi do të jetë i ndërsjelltë, në vazhdimësi dhe në kontakt të vazhdueshëm mes bashkive tona”, u shpreh Halilaj.
Deputeti i PS, Pandeli Majko tha se Bashkia e Kukësit ka interes për të mësuar nga më të mirët. “Firmosja e kësaj marrëveshje është një shembull dhe bashkëpunimi do të jetë shumë efikas. Kryetari i Bashkisë, Prefekti, Kryetari i Qarkut, kanë vetëm një ambicie: ta bëjnë Kukësin më të mirë, dhe besoj se sot kemi ardhur për të mësuar nga më të mirët”, tha Majko.
Qëllimi i marrëveshjes është bashkëpunimi administrativ midis Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Kukësit, për nxitjen e organizimeve, aktiviteteve të përbashkëta brenda dhe jashtë vendit, për mbajtjen e komunikimit të vazhdueshëm dhe forcimin e marrëdhënieve administrative, trajnimin e administratës dhe angazhimin në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e artit, kulturës, sportit.
Top Channel