NATO do shtojë ushtarët në Kosovë, diplomatët: Nuk ndryshon mandati i aleancës në Kosovë

21/11/2023 19:51

Për shkak të situatës së brishtë të sigurisë në Kosovë, shefi i NATO-s ka paralajmëruar mundësinë e shtimit të përhershëm të trupave të misionit euro-atlantik në Kosovë. 

Vetëm gjatë vitit 2023 KFOR-it i janë shtuar edhe mbi 330 pjesëtarë, pas sulmeve në veri të Kosovës, kjo sipas Jens Stoltenberg dhe alarmi se Rusia do të nxisë luftë në Ballkan e bëjnë të nevojshme rritjen e trupave.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, vend ky anëtarë i NATO-s thotë se shtimi i përhershëm nuk nënkupton ndërrim të mandatit të KFOR-it.

“Qëndrimi i NATO-s është edhe më i fortë, por s’do të thotë se ka ndryshim ligjor. NATO-ja ka mandat të qartë dhe ky mandat s’ka ndryshuar”, tha Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas tij, shtimi i trupave është reagim i NATO-s ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë e nuk nënkupton kthim prapa në kohë kur siguria e Kosovës ishte përgjegjësi e ndërkombëtarëve.

“NATO-ja është këtu për të përkrahur stabilitetin në Kosovë dhe asgjë s’ka ndryshuar. Ajo që shoh është se NATO po reagon ndaj sulmit terrorist në Banjskë duke ofruar siguri, sidomos në veri…. Është e rëndësishme që të ketë siguri”, deklaroi ai.

Në vend shtimi i përhershëm shihet si përgatitje për sulme të mundshëm e ekspertët thonë që zgjedhjet në Serbi mund të jenë indikatorë.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg në kuadër të turit të tij në Ballkan të martën qëndroi në Serbi prej ku përsëriti se themelimi i Asociacionit është çelësi kyç i paqes në rajon dhe se Serbia nuk i ndihmon kësaj me vendosjen e trupave përreth kufirit me Kosovës, për çka presidenti serb, Aleksandar Vuciç tha se është çështje e Serbisë së ku vendosë trupa.

Top Channel