Ministri grek takim me Fredi Belerin në burg/ Papastavru: Vendimi i sovranit për votën nuk po zbatohet akoma

21/11/2023 16:20

Ministri i shtetit grek Stavros Papastavrou takoi pasditen e së martës në Institucionin e Ekzekutimit të Veprave Penale në Durrës kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Vizita, që zgjati rreth një orë, u zhvillua një ditë para seancës gjyqësore të gjykimit të Belerit dhe është në vazhdën e mbështetjes së fortë që Athina zyrtare vazhdon t’i japë atij që nga momenti i arrestimit, duke e konsideruar një çështje që cënon shtetin e së drejtës dhe fqinjësinë mes dy vendeve.

Në një deklaratë për mediat shqiptare dhe ato greke, ministri grek theksoi se Himara është e vetmja bashki në Evropë që drejtohet nga kandidati që humbi zgjedhjet, ndërsa fituesit po i mohohet e drejta e betimit.

“Erdha e vizitova kryebashkiakun e Himarës që mbahet në burg këtu e 7 muaj. Fatkeqësisht në Himarë, vendimi i sovranit për votën nuk po zbatohet akoma. Himara është e vetmja bashki në Evropë ku kryetari i humbur vazhdon të drejtojë bashkinë dhe kryetarit të zgjedhur po i mohohet e drejta për t’u zgjedhur”, u shpreh Papastavru.

Papastavru është ministri i dytë grek, pas ministrit të Mbrojtjes së Qytetarit në shtator, që takon kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës në burgun e Durrësit. Ai kërkoi respektimin e prezumimit të pafajësisë për Belerin.

“Ne i gjendemi pranë Fredi Belerit për një gjyq të drejtë dhe duam që prezumimi i pafajësisë së tij të respektohet nga drejtësia shqiptare. Duhet gjetur një zgjidhje në kuadrin e së drejtës evropiane dhe shtetit të së drejtës dhe ëndrrës evropiane që të kthehet normaliteti në Bashkinë e Himarës”, tha ai.

Fredi Beleri nuk është lejuar ende të bëjë betimin si kryebashkiak, ndërsa u arrestua dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit në të cilat u shpall fitues. Ai është në gjykim i akuzuar për blerje votash, korrupsion aktiv në zgjedhje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA