Falimenton kompania e milionerit pas vjedhjes 35,000 paundë nga punonjësja e fiksuar me veshjet ‘firmato’ (fotot)

21/11/2023 15:30

Një biznesmen britanik u detyrua të shkarkonte gjashtë punonjës në kompaninë e tij të lojrave online dhe më pas ta shiste atë pasi një asistente kishte vjedhur 35,000 paundë nga llogaritë për të përmbushur etjen e saj për veshje dhe aksesorë ‘firmato’.

Aria Taheri tha se ishte i revoltuar kur zbuloi se asistentja e llogarisë Sarah Cunningham kishte vjedhur paratë e kompanisë vetëm njëmuaj pasi kishte nisur të punonte për të ne Britani.

Për një periudhë katër-javore 41-vjeçarja Cunningham kishte kryer fshehtësisht transferimet online në shumë prej 3,000 deri në 5,500 paundë drejt një llogarie që kishte hapur. Ndërsa në një prej rasteve ajo kishte transferuar deri në 8,200 paundë brenda ditës.

Zoti Taheri – i cili ka bërë disa herë donacione bamirësie në programe televizive, tha për gjykatën e Manchester se kompania e tij e lojrave online Velo Systems ishte ‘në një periudhë të errët’ si rezultat i vjedhjes që shkaktoi probleme me pagesat.

56-vjeçari tha se kishte futur 50,000 paundë nga paratë e tij por më vonë u detyrua të shiste kompaninë me çmim të lirë pasi ishte goditur nga tradhtia e Cunningham, që arrinte shumën totale prej £35,810.10.

Taheri, i cili ka ardhur në Angli nga Irani kur ishte 17 vjeç, dënonte veprimet e nënës së dy fëmijëve duke i quajtur dashakeqe e mashtruese, por gruaja doli gjithsesi pa u dënuar me burg nga gjykata.

Cunningham pranoi vjedhjen dhe tha fillimisht se ishte detyruar të vidhte prej borxheve personale, por policia sekuestroi në shtëpinë e saj sende luksi në vlerë mijëra paundë.

Zyrtarët zbuluan se ajo ishte dënuar dhe më parë për vjedhje nga një tjetër punëdhënës.

Taheri tha në gjykatë: ‘Sarah Cunningham vodhi nga kompania ime pa asnjë konsideratë për ata që do të prekeshin nga kjo. Veprimi i saj dëmtoi besimin tim te stafi dhe shkaktoi probleme në jetën e shumë punonjësve”.

“Kompania u detyrua të shkarkojë gjashtë punonjës të vlefshëm, prej zbrazjes së burimeve financiare”.

“Rrjedhimisht unë u detyrova të shes biznesin me çmim të reduktuar dhe eksperienca na ka lënë të gjithëve të lënduar”.

Në gjykatë u tha se vjedhjet kishin nisur pasi Cunningham u punësua nga Taheri në prill 2019.

Prokurori Robin Kitching, tha: “Ajo u punësua në një post besimi ku përfshiheshin rimbursimet për klientët dhe kishte akses në sistemin bankar të kompanisë, por shkeljet u zbuluan kur u vërejtën shuma të mëdha të pazakonta që dilnin me transaksionet e Cunningham.”

“Hetimet zbuluan se ajo kishte transferuar para në llogarinë e saj të fshehtë dhe më pas në llogaritë e familjarëve të saj”.

Cunningham, e cila jeton në Chesterfield me fëmijët e saj 14 e pesë vjeç, përballej me deri në gjashtë vjet burg, por mori vetëm një dënim të pezulluar prej 22 muaj, për të mos dëmtuar fëmijët, pasi eshte nënë e vetme.

Cunningham u urdhërua gjithashtu të mbajë një gjurmues elektronik për tre muaj si pjesë e izolimit dhe të kryejë 15 ditë kurs rehabilitimi.

FOTO GALERI
4/5
Cunningham u urdhërua gjithashtu të mbajë një gjurmues elektronik për tre muaj si pjesë e izolimit dhe të kryejë 15 ditë kurs rehabilitimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA