Mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni ka kryer testet mjekësore paraditen e të martës, të cilat kanë konfirmuar lodhjen muskulore dhe mungesën e tij të sigurt në ndeshjen ndaj Juventusit, e planifikuar për të dielën në mbrëmje.
Titullari i zikaltërve u dëmtua në grumbullimin me kombëtaren italiane dhe humbi të dy ndeshjet eliminatore me të kaltrit, teksa krahas ndeshjes me Juventusin, nuk do të jetë në dispozicion të Simone Inzaghit as për takimin e 29 nëntorit ndaj Benficës në Portugali.
Shpresat e mjekëve të Interit janë që të rikuperojnë Bastonin për fundjavën e 3 dhjetorit, kur Interi të sfidojë Napolin në transfertë, ose maksimumi në takimin ndaj Udineses pak ditë më vonë në “San Siro”.
Ndërkohë, Bastonin pritet ta zëvendësojë Acerbi në të majtë të mbrojtjes me tre, me De Vrij që do të aktivizohet në qendër dhe Darmian që do të kompletojë prapavijën./ Super Sport
Top Channel