Më shumë se 200 gangsterë dënohen në gjyqin masiv të mafias në Kalabri (fotot)

20/11/2023 17:37
Gjykateset lexojne verdiktin ndaj anetareve te Ndrangheta ne Lamezia Terme

Në sallën e ndërtuar posaçërisht të gjyqit në Kalabri, Italia juglindore, gjykata dëgjoi prova të taktikave mizore të përdorura nga grupi mafioz ’Ndrangheta’.

Më shumë se 200 persona u dënuan për pjesëmarrje në grup mafioz, zhvatje dhe rryshfet, në atë që përshkruhet si një nga gjyqet më të mëdha të mafias në disa dekada në Itali.

Salla e gjyqit ishte ndërtuar posaçërisht për të mbajtur 350 të akuzuar, rreth 400 avokatë dhe për të dëgjuar rreth 900 dëshmitarë kundër anëtarëve të grupit ’Ndrangheta.

Megjithse më shumë se 100 individë u lanë të lirë nga gjykata në Lamezia Terme, dënimet raportohet se janë një goditje e konsiderueshme për grupin kriminal që thuajse kontrollon të gjithë trafikun e kokainës në Evropë.

Shumica e të akuzuarve janë arrestuar në fund të vitit 2019 pas hetimeve të nisura në 2016 dhe më pas bastisjeve në zona si Vibo Valentia, Calabria.

Një drejtues policie dhe disa këshilltarë bashkiakë ishin mes të arrestuarve, me aksionet që u përhapën gjithashtu dhe në Gjermani, Zvicër e Bullgaria.

Ish-deputeti i “Forza Italia” Giancarlo Pittelli u dënua me 11 vjet burg për ndihmën që i kishte  dhënë klanit mafioz.

Prokurori që drejtoi operacionet Nicola Gratteri, tha më herët se ishte veprimi më i gjerë që prej gjyqeve masive të mafias në vitet 1986-92 në Palermo, kur u burgosën 475 të arrestuar.

Hetuesit thanë se drejtuesit e grupeve rralle lëvizin nga fshatrat e tyre megjithëse drejtojnë operacione globale në miliona dollarë.

Ata thanë se shefat përdornin tunele sekrete nën shtëpitë e tyre ose bunkerë në male që arrihen vetëm në këmbë, teksa pastrojnë milionë euro me anë të kompanive guaska.

FOTO GALERI
1/3
Megjithse më shumë se 100 individë u lanë të lirë nga gjykata në Lamezia Terme, dënimet raportohet se janë një goditje e konsiderueshme për grupin kriminal

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA