Goditet një grup kriminal në Vaun e Dejës, vidhnin banesa dhe shkatërronin prona

20/11/2023 12:25

Është goditur një grup kriminal në Vaun e Dejës, i dyshuar për disa vjedhje dhe shkatërrim të pronës gjatë viteve të fundit.

Në pranga janë vënë tre persona, ndërsa dy të tjerë janë identifikuar dhe po punohet për kapjen e tyre. Në kudër të operacionit të koduar “Poinomi”, është zbuluar se këta autorë kanë djegur 4 makina, kanë vjedhur 4 banesa në Vaun e Dejës dhe dy të tjera në Shkodër.

Goditet një grup kriminal i dyshuar për disa raste në fushën e vjedhjes dhe shkatërrimit të pronës, të kryera gjatë vitit të fundit.

Autorët e vënë në pranga janë R. G., 24 vjeç dhe G. D., 24 vjeç, të dy me detyrë ushtarë në Repartin e Këmbësorëve, banues në Vaun e Dejës, si dhe shtetasi F. J., 34 vjeç, banues në Shkodër. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. N., 24 vjeç dhe K. D., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Nga hetimet rezuloi se këta shtetas, të organizuar si grup, dyshohet se më datë 18 nëntor 2022, kanë djegur 3 automjete, në një servis automjetesh, ndërsa më datë 10 janar 2023, kanë djegur 1 automjet, në fshatin Kaçë. Gjatë periudhës shtator-nëntor 2023, kanë vjedhur shuma parash dhe sende personale, në 6 banesa, në Vaun e Dejës dhe në Shkodër.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet që dyshohet se është përdorur nga këta shtetas, për të shkuar në vendngjarjet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel